Britania e Madhe hedhë poshtë idenë për shkëmbim të tankerëve me Iranin

Britania e Madhe hodhi poshtë idenë se mund ta lirojë tankerin iranian në shkëmbim për tankerin britanik të cilin e ka konfiskuar Irani në Gjirin Persik.

Britania e Madhe hedhë poshtë idenë për shkëmbim të tankerëve me Iranin

Tensionet janë në rritje në mes të Iranit dhe Britanisë së Madhe prejse komandot iranianë më herët këtë muaj e grabitën një tanker i cili lundronte nën flamurin e Mbretërisë së Bashkuar. Ky veprim pasoi pasi forcat britanike konfiskuan një tanker iranian në afërsi të Gjibraltarit, duke e akuzuar për shkelje të sanksioneve kundër Sirisë.

“Nuk ka shërbim për shërbim. Këtu nuk bëhet fjalë për kurrfarë shkëmbimi. Këtu bëhet fjalë për të drejtën ndërkombëtare dhe përkrahjen për rregullat e sistemit ndërkombëtar të drejtësisë dhe ne do të insistojmë për këtë”, ka thënë ministri i jashtëm britanik Dominic Raab.

Ai ka shtuar se “iranianët duhet ta respektojnë sistemin e bazuar në rregullat e komunitetit ndërkombëtar, nëse duan të dalin nga errësira dhe të jenë të pranuar si anëtar i përgjegjshëm i komunitetit ndërkombëtar”.

“Nuk mundeni sipas qejfit të konfiskoni anijet e huaja”, ka thënë Raab në një deklaratë dhënë “Sky News”./Insajderi.com.