Britania emëron të dërguarin e ri të posaçëm për Ballkanin

Britania emëron të dërguarin e ri të posaçëm për Ballkanin

Sir Stuart Peach është caktuar nga Britania e Madhe si i dërguari i ri i posaçëm për Ballkanin Perëndimor.

Kryeministri Boris Johnson e ka emëruar atë si pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për zhvillimin dhe prosperitetin e rajonit.

Stuart Peach do ta marrë detyrën e re pasi të ketë dhënë dorëheqje nga detyra e Kryetarit të Komisionit Ushtarak të NATO-s, një rol të cilin e mban prej vitit 2018.

Më parë ai ka shërbyer edhe si Shef i Shtabit të Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar.

“Si i Dërguar i Posaçëm i Kryeministrit, Stuart Peach do të punojë me liderët e Ballkanit Perëndimor, me të tjerët në rajon, dhe aleatët në SHBA dhe Evropë, për të mbështetur dhe përforcuar stabilitetin rajonal”, thuhet në njoftimin e ambasadës britanike në Prishtinë.

Flamuri i Britanisë dhe ai i Kosovës

Puna e tij do të përfshijë gjithashtu promovimin e institucioneve të forta demokratike dhe shoqërive të hapura, duke favorizuar luftën ndaj krimit të organizuar dhe sfidat e tjera të përbashkëta të sigurisë, si dhe inkurajimin e zgjidhjes së çështjeve të trashëguara, si krimet e luftës dhe personat e zhdukur.

“Lidhur me këtë të fundit, Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë gjithashtu të udhëheqë punën për avancimin e barazisë gjinore dhe zbatimin e Iniciativës për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt”.

“Në Bosnje dhe Hercegovinë, puna e Stuart Peach do të mbështesë atë të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt, i cili vazhdon të ketë mbështetjen e plotë të Britanisë”.

Ndërsa, për Serbinë dhe Kosovën, ambasada njofton se ai do të punojë me partnerët ndërkombëtarë në mbështetje të dialogut, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Mbretëria e Bashkuar është thellësisht e përkushtuar ndaj sigurisë në Evropë. Ballkani Perëndimor po përjeton kërcënimin më të madh për stabilitetin dhe sigurinë në më shumë se dy dekada”.

“Ne kemi përgjegjësinë të bëjmë gjithçka që mundemi për të ruajtur sukseset e arritura përmes paqes dhe dialogut – nuk mund të lejojmë asnjë kthim në dhunën dhe ndasitë e së kaluarës”.

“Përvoja dhe ekspertiza e gjerë e Sir Stuart Peach do të përforcojë përpjekjet ndërkombëtare për të mbrojtur paqen dhe për të promovuar integrimin euroatlantik në këtë rajon kyç”, ka deklaruar Boris Johnson.

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson

Për Bosnje dhe Hercegovinën, Përfaqësuesi i Lartë ka paralajmëruar se vendi po përballet me kërcënimin më të madh ekzistencial të periudhës së pasluftës dhe se ka një perspektivë reale për ndarje dhe konflikt të mëtejshëm.

“Së bashku me partnerët ndërkombëtarë, Mbretëria e Bashkuar po punon për të luftuar çdo kërcënim ndaj stabilitetit në përputhje me Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit, e cila ka qenë në themel të 26 viteve përparim të fituar me vështirësi në Bosnje dhe Hercegovinë”.

“Mbretëria e Bashkuar po ndihmon gjithashtu në përgjigjen ndaj sfidave të tjera rajonale, duke përfshirë mbështetjen e normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, dhe luftën ndaj grupeve të krimit të organizuar”.

“Mbretëria e Bashkuar do të luaj një rol të rëndësishëm, duke punuar ngushtë me qeveritë e Rajonit dhe partnerët ndërkombëtarë”, thuhet tutje në njoftim.

Për Sekretaren e Punëve të Jashtme britanike, Liz Truss, caktimi i Peach në këtë detyrë, është tregues i qartë i angazhimit britanik për të promovuar demokracinë në rajon. /Insajderi.com