
Britania e Madhe e ka vendosur sërish masën e karantinimit prej dhjetë ditëve për personat që vijnë nga Portugalia, kjo si pasojë e rritjes së rasteve me COVID-19 në këtë vend, transmeton Insajderi.
Vendimi u njoftua nga qeveria britanike të enjten dhe vjen në mes të një rishikimi të sistemit të Mbretërisë së Bashkuar për udhëtimet.
Portugalia kishte qenë i vetmi vend i Bashkimit Evropian në listën e vendeve të gjelbra të Mbretërisë së Bashkuar, por kjo do të ndryshojë nga e marta, raporton ‘Euronews’.
“Vendimi për të lëvizur Portugalinë, në listën e vendeve që paraqesin rrezik për Mbretërinë e Bashkuar erdhi pas rritjes së numrit të rasteve”, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Transportit në Britani, shkruan kjo media.
Kabineti i Ministrit të Shtetit të Punëve të Jashtme të Portugalisë, ka reaguar në Twitter’ duke thënë, “nuk mund të kuptojmë logjikën e Mbretërisë së Bashkuar.”
“Portugalia vazhdon të zbatojë planin e saj të kujdesshëm dhe gradual të dekonfinimit, me rregulla të qarta për sigurinë e atyre që jetojnë këtu dhe atyre që na vizitojnë,” thuhet me tej në reagim./Insajderi.com