Bullgaria ka dëbuar dy diplomatë rusë, pasi të dy u akuzuan nga autoritetet bullgare për spiunim ushtarak dhe ka kërkuar nga ata të largohen nga Bullgaria brenda 72 orëve, ka njoftuar Ministria e Jashtme e Bullgarisë të mërkurën, njofton Insajderi.
“Ministria e Jashtme e Bullgarisë ka shpallur dy diplomatë rusë ‘persona të padëshiruar’, dhe ka informuar ambasadën ruse përmes notës diplomatike”, ka thënë një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme.
Sipas Agjencisë Shtetërore për Siguri Kombëtare, të dy diplomatët rusë, kanë mbledhur informacione sekrete rreth planeve të Bullgarisë për modernizimin e ushtrisë. Në anën tjetër, diplomatët nuk mund të ndiqen penalisht, për shkak të imunitetit.
“Qëllimi i tyre ka qenë që të transferojnë informacion të mbledhur, duke përfshirë sekrete shtetërore te inteligjenca ushtarake e Rusisë në Moskë”, kanë thënë prokurorët bullgarë. Insajderi.com