Ministri i shëndetësisë i Bullgarisë, Kostadin Angelov, ka kritikuar kompaninë AstraZeneca për vonesë në shpërndarjen e vaksinave anti-COVID dhe ka kërkuar dërgimin e menjëhershëm të të paktën 52 mijë e 800 dozave, të cilat u shtynë për 1 mars, transmeton Insajderi.
Në një letër me fjalë të ashpra, Angelov ka thënë se dështimi i AstraZeneca për shpërndarjen e vaksinave po kompromenton fushatën masive të vaksinimit që Bullgaria nisi në fund të javës së kaluar, shkruan Reuters.
Letra drejtuar kësaj kompanie u botua në faqen e internetit të televizionit bullgar NOVA, të mërkurën.
Shumë bullgarë nxituan të merrnin vaksina të shtunën, duke rritur numrin e qytetarëve të imunizuar, por shpejt mbetën pa doza të AstraZeneca.
Kompania britaniko-suedeze i njoftoi Bashkimit Evropian se do të zvogëlojë dërgesat me 60 për qind për shkak të problemeve të prodhimit.
Sipas skemës së Bashikimit Evropian, Bullgaria ka porositur 4.5 milionë doza të vaksinës AstraZeneca, të cilat janë planifikuar të mbërrijnë në shtatë muajt e ardhshëm. 450 mijë doza duhej të mbërrinin në shkurt, por do të dorëzohen 117 mijë sosh më 1 mars.
Dorëzimi i 142 mijë e 400 dozave, i konfirmuar më 15 shkurt, tani është zhvendosur në 1 mars dhe është ulur me dy të tretat, ka thënë Angelov./Insajderi.com