Bullgaria vazhdon planet për ndërtimin e centralit si kundërpërgjigjje ndaj kërkesës në rritje për energji elektrike

Bullgaria vazhdon planet për ndërtimin e centralit si kundërpërgjigjje ndaj kërkesës në rritje për energji elektrike

Trembëdhjetë kompani të ndryshme kanë shfaqur interesimin për ndërtimin e centralit bërthamor dy-mijë megavatësh të prodhimit të energjisë në Belene, sqaron Ministrja e Energjisë në Bullgari Temenuzhka Petkova. Qeveria në Bullgari shpreson të përfundojë tërë projektin në periudhë dhjetë-vjecare me kosto prej dhjetë miliardë eurosh.

Centrali bërthamor në Belene ishte kundërshtuar nga pjesëtarë të shoqërisë civile, por kjo nuk e ka ndaluar qeverinë Bullgare të vazhdojë implementimin e projektit me qëllim të sigurimit të pavarësisë energjetike të vendit në të ardhmën, kur edhe kërkesa për energji elektrike do të jetë dukshëm më e lartë.

Në Maj të këtij viti Bullgaria ka shpallur thirrjen për investitor strategjik për centralin e ri bërthamor. Rrjedhimisht, kompani të ndryshme nga Kina, Korea, Gjermania, Bullgaria, Amerika, Franca dhe Maqedonia kanë shprehur interesimin për të investuar dhe implementuar projektin.

Shume shtete kanë shpërfaqur planet nacionale mbi ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike për të siguruar mjaftueshëm rrymë për zhvillim ekonomik dhe furnizim të rregullt.

Në rajonin e Ballkanit, pothuajse të gjitha shtetet kanë shpalosur planet energjetike për të arritur sigurinë e furnizimit me rrymë, për t’u ballafaquar me sfidën e rritjes së kërkesës për energji elektrike.

Në këtë kontekst, shumica e vendeve në Ballkan ose kanë filluar planifikimin dhe ndërtimin e termocentraleve të reja, ose edhe realizimin e investimeve të nevojshme në termocentralet ekzistuese të thëngjillit.

Serbia udhëheqë me plane për ndërtimin e kapaciteteve prodhuese të rrymës nga thëngjilli (termocentraleve) me rreth 2500 megavat të planifikuara, pasuar nga Bosna dhe Hercegovina me 2450 megavat.

Kërkesa për energji elektrike është në rritje të vazhdueshme edhe në Kosovë. Sipas strategjisë energjetike të Kosovës, vendit i duhet të fillojë realizimin e termocentralit të ri dhe projektet tjera të prodhimit të rrymës nga burime të ripërtrishme, në mënyrë që të sigurojë rezerva të mjaftueshme energjetike për të ardhmën.

Ndryshe, në mungesë të termocentralit të ri dhe projekteve tjera energjetike, vendi mund të përballet me mungesë të dukshme të energjisë elektrike, përkundër të qenit i treti në Evropë për nga rezervat e linjitit.