
Së paku tetë persona e kanë humbur jetën në përleshjet ndërkomunale midis fermerëve dhe barinjve në shtetin afrikan Çad, transmeton Insajderi.
“Të enjten, fermerët Ouaddaian u përleshën me barinjtë Fulani në lokalitetin Dourrene i vendosur rreth 20 kilometra në lindje të qytetit Abeche”, tha për AA, Brahim Seid Mahamat, guvernator i provincës Ouaddai.
“Tetë persona u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën. Të vdekurit u varrosën sot në mëngjes nga familjet e tyre”, tha Mahamat, raporton Anadolu Agency (AA).
Për disa vite, pjesa lindore e Çadit është dëmtuar nga përleshjet. Në gusht të vitit 2019, së paku 37 persona u vranë në tre ditë luftimesh midis fermerëve dhe barinjve në lindje të Çadit. /Insajderi.com