Manchester City ka nënshtruar rivalin Manchester Unitedin në derbin e këtij qyteti, të zhvilluar në kuadër të EFL Cup (Carabao Cup) në Old Trafford.
City në gjysmëfinale ka arritur që si mysafir të triumfojë me rezultatin e thellë 1:3 ndaj rivalit të vjetër, raporton Insporti
Skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola e kreu gjithë punën në pjesë të parë, e cila u mbyll me epërsinë 0:3 të mysafirëve.
Golat e Bernardo Silva (17′), Riyad Mahrez (33′) dhe autogoli i Andreas Pereira (39′) i siguruan eprësinë e thellë ‘Citizens’ në 45 minutat e parë.
Krejt ajo çka arriti Manchester Unitedi ishte ngushtimi i epërsisë në pjesë të dytë, kur Marcus Rashford shënoi për 1:3 në minutën e 70-të.
Pas kësaj fitoreje në gjysmëfinale të parë, City pothuajse është me një këmbë në finale, pasi takimi i kthimit do të luhet në ‘Etihad’, më datë 29 janar.
Sidoqoftë, në Carabao Cup nuk ka rregull të golave të shënuar si mysafir andaj në rast se rezultati i përgjithshëm është i barabartë në gjysmëfinalen e dytë, atëherë finalisti do të përcaktohej pas penalltive. /Insporti.com/