Reagim i ashpër i presidentit të UEFA-së, Aleksandër Ceferin pas vendimit për krijimin e Super Ligës Europiane. Kreu i organit më të lartë të futbollit në Europë, e ka cilësuar këtë vendim si babëzi të një pakice, teksa ka deklaruar se janë gati të pezullojnë klubet nga gara, njofton Insajderi.
“Unë do të doja të falënderoja të gjithë familjen e futbollit, madje edhe klubet, përveç atyre 12. Kjo ide është një pështymë në fytyrë për ata që e duan futbollin. Ne nuk do t’i lëmë të na e marrin futbollin. Skuadrat garojnë për merita, jo për vendimin e pak të babëziturve”, tha fillimisht kreu i UEFA-së.
“UEFA dhe futbolli janë të bashkuar kundër këtij propozimi të tmerrshëm të disa klubeve që ndjekin lakminë. Siç është njoftuar, lojtarët që do të marrin pjesë në këtë ligë të mbyllur nuk do të jenë në gjendje për të luajtur në Kupën e Botës dhe në Europian. Kështu që ne i bëjmë apel të gjithëve që të bashkohen me ne në mënyrë që ky plan të mos kalojë”, tha Ceferin duke paralajmëruar lojtarët që janë pjesë e ekipeve që kanë përkrahur këtë nismë se nuk mund të marrin pjesë në Kampionatin Europian apo atë Botëror.
“Unë mendoj se reformat që ne do të shpallim janë një përmirësim, sot UEFA tashmë shpërndan 90% të të ardhurave të saj duke riinvestuar në futboll. UEFA nuk është vetëm çështje parash, Super League po, ajo mbron interesat e një pakice. Unë nuk do të doja ta quaja një duzinë të ndyrë. Kampionat pa ata 12? Sigurisht, është e mundur. Ne do t’i nxjerrim kampionët e rinj me ose pa ta”, tha slloveni duke aluduar se edhe pa ato ekipe, UEFA do të vazhdojë garat e saj.
“Jemi duke vlerësuar me avokatët tanë, është shumë herët për të dhënë zgjidhje, por padyshim që ne do të zbatojmë të gjitha sanksionet që mundemi. Por për mendimin tim ne duhet t’i pezullojmë ato nga garat tona sa më shpejt të jetë e mundur”, u shpreh Ceferin. /Insajderi.com