Çeki: Shkarkohet nga detyra ministri i Jashtëm Tomas Petricek

Çeki: Shkarkohet nga detyra ministri i Jashtëm Tomas Petricek

Në Çeki është shkarkuar nga detyra ministri i Jashtëm, Tomas Petricek, i cili nuk dha mbështetje për sjelljen e vaksinës ruse dhe kineze në vend, transmeton Insajderi.

Petricek, në një deklaratë theksoi se ka biseduar me Jan Hamacek, kryetarin e përgjithshëm të Partisë Social Demokrate të Çekisë (CSSD), një prej partnerëve të koalicionit qeverisës, ku Hamacek i ka shprehur atij se është “shkarkuar nga detyra”, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti çek, Milosh Zeman, në një deklaratë të bërë më parë reagoi për shkak se Petricek nuk mbështeste vaksinën ruse dhe kineze dhe se dëshironte të pengonte pjesëmarrjen e Rusisë në tenderin që do të zhvillohej lidhur me zgjerimin e centralit bërthamor Dukovany në Çeki. Po ashtu Zeman i bëri thirrje kryeministrit për shkarkimin e Petricek nga detyra.

Sipas lajmeve të tjera në shtypin çek, thuhet se Petricek ishte kandidat për kryetar në kongresin e CSSD dhe është shkarkuar nga detyra për shkak të kritikave të tij të ashpra ndaj kryetarit aktual Hamacek.

Debati për vaksinën ruse dhe kineze ka shkaktuar edhe largimin nga detyra të ministrit të Shëndetësisë javën e kaluar. /Insajderi.com