Çekia dhe Kina – marrëveshje për partneritet strategjik

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, e ka nënshkruar një partneritet strategjik gjatë vizitës së tij në Çeki.

Çekia dhe Kina – marrëveshje për partneritet strategjik

Këtë marrëveshje, sot në kryeqytetin Pragë, e kanë nënshkruar presidenti i Çekisë, Milos Zeman, dhe presidenti kinez, Xi Jinping, i cili tha se ajo “përcakton një drejtim politik për zhvillimin e marrëdhënieve tona në të ardhmen”.

Pas vizitës në Çeki, presidenti kinez shkon për vizitë në Shtetet e Bashkuara.

Komentatorët thonë se kjo vizitë reflekton qasje më të madhe të Çekisë ndaj biznesit me Kinën, se sa ajo që ka ekzistuar nën presidentin e ndjerë, Vaclav Havel, që ishte mbështetës i fuiqishëm i të drejtave të njeriut.

Presidenti çek, Milos Zeman, ishte i vetmi lider i një shteti të Bashkimit Evropian, që ka marrë pjesë në festimet në Kinë, me rastin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, vitin e kaluar, me ç’rast pat thënë se shpreson se vendi i tij do të bëhet “hyrje” për Kinën në Bashkimin Evropian.

Sipas tij, marrëveshjet e biznesit që do të nënshkruhen gjatë vizitës triditëshe të presidentit kinez, Xi Jingping, mund të sjellin afro 3.9 miliardë dollarë investime të Kinës në Çeki këtë vit.