Çekia largon gjendjen e jashtëzakonshme të krijuar nga Coronavirusi

Çekia largon gjendjen e jashtëzakonshme të krijuar nga Coronavirusi

Shteti i Evropës Qendrore, Çekia, ka larguar gjendjen e jashtëzakonshme të krijuar nga COVID-19, pas gjashtë muajsh, njofton Insajderi.

Pas disa muajsh mbyllje, për shkak të përhapjes së Coronavirusit, të hënën e 12 prillit u rihapen bibliotekat, kopshtet zoologjike dhe dyqanet për fëmijë.

Gjithashtu shkollat u rihapën për klasat e para deri në klasën e pestë dhe nxënësve në shkolla do t’u kërkohet dy herë në javë të bëjnë testin për Coronavirus.

Po ashtu, u hoqën edhe kufizimet në lëvizje, përfshirë orën policore gjatë natës dhe ndalesën e udhëtimit nga një qark në tjetrin.

Ministria e Shëndetësisë e Çekisë raportoi të dielën për 976 raste të reja me Coronavirus, që është shifra më e ulët ditore që nga muaji shtator.

Mesatarja shtatëditore ra në më pak se katër mijë raste, që është ende e lartë krahasuar me shumicën e shteteve të Bashkimit Evropian, por shumë më e vogël se mbi, 12 mijë, sa ishte në fillim të marsit.

Dyqanet jo-esenciale, restorantet dhe qendrat sportive dhe argëtuese në Çeki janë të mbyllura që nga tetori. Ato janë rihapur shkurtimisht në dhjetor, para Festës së Krishtlindjeve, por janë mbyllur brenda disa ditësh, për shkak të rritjes së numrit të rasteve me Coronavirus.

Në total Çekia, vend me 10.7 milionë banorë, ka regjistruar mbi 1.5 milionë raste me Coronavirus dhe afro 28,000 viktima.

Sipas Universitetit, Johns Hopkins, Çekia ka numrin më të lartë të vdekjeve (259.7) për kokë banori. /Insajderi.com