Janë bërë dhjetë vite prej se Kosova kishte filluar procedurat për ndërtimin e termocentralit të ri dhe pas një dekade përshtatjeje me rregullat e Bankës Botërore, e njejta ka dështuar të marrë pëlqimin për ndërtimin e tij.
‘Cdo gjë që është bërë në këtë projekt është bërë sipas standardeve dhe kritereve të Bankës Botërore. Mirëpo janë 10 vite.’, tha Valdrin Lluka në intervistën e tij teksa po sqaronte se projekti iu është përshtatur në vazhdimësi kërkesave të Bankës Botërore.
Ky reagim erdhi pas deklarimit të Presidentit të Bankës Botërore, Kim Yong Kim, gjatë një ngjarjeje në Bali. ‘Për Ballkanin, po, ne kemi marrë një vendim shumë të vendosur për të mos shkuar përpara me termocentralin me thëngjill’, tha ai gjatë ngjarjes në Bali. Mediat botërore raportuan se duke mos përkrahur termocentralin në Kosovë, Banka Botërore po përfundon përkrahjen ndaj qymyrit anembanë.
Një dekadë humbje prej rreth 415 milion dollarësh në vit, që në total i bie më shumë se 4 miliardë dollarë, nuk do të ndodhnin sikur termocentrali i ri në Kosovë të ndërtohej në vitin 2008/09.
Sipas raporteve të USAID, vetëm bizneset në Kosovë humbin rreth 415 milion dollarë në vit për shkak të furnizimit jo të rregullt me energji elektrike. Këtë e kishte konfirmuar edhe Ambasadori i sapo-emëruar I SHBA-ve në Kosovë, z. Philip Kosnett.
“Termocentrali 1.4 miliardësh do bëjë revolucion në ekonominë e Kosovës”, kishte thënë ai, teksa po I drejtohej senatit. Ai kishte shtuar se do të avokojë për zbatimin e strategjisë gjithëpërfshirëse të energjisë në Kosovë, që nënkupton energji tradicionale dhe të ripërtrishme.
Në vitin 2013 Banka Botërore rishikoi politikat e saj të huazimit për të përjashtuar projektet e reja të qymyrit, përveç në "rrethana të jashtëzakonshme’. Kosova e Re ka qenë projekti i vetëm i qymyrit për të cilin banka ka e konsideruar mbështetjen.
Projekte të ngjashme si ato të Kosovës së Re kanë pranuar kritika edhe në vendet fqinje. Në shtator të këtij viti Komuniteti i Energjisë I bëri thirrje parlamentit rajonal në Bosne të mos miratojë garancionin që
do të lejonte ndërtimin e një njësie të re në termocentralin në Tuzëll.
Sipas Bankwatch, edhe strategjia e energjisë e Serbisë parasheh ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike nga qymyri me kapacitet prej 2550 megavatësh.
Përkundër kritikave të shumta nga Banka Botërore dhe Sekretariati i Traktatit të Energjisë, projekti I termocentralit Kostolac B3 në Serbi me kapacitet prej 350 megavatësh dhe ai i njësisë së re në Tuzëll po ndërtohen, me financim nga Kinezët. Me 2550 megavat energji elektrike nga linjiti, Serbia mëton pozitën e liderit energjetik në rajon.
Mediat në Kinë raportojnë se përmes këtyre aktiviteteve Kina me përkrahje të Rusisë, po tenton të shtrijë ndikimin politik edhe në Ballkan, përmes investimit në projekte të mëdha, si ato të ndërtimit të termocentraleve në Serbi dhe Bosne, të paralajmëruara nga qeveritë e këtyre dy vendeve.
Si kundërpërgjigjje, senati Amerikan ka miratuar projektligjin për krijimin e një agjencie të investimit nëvende në zhvillim me kapital prej 60 miliardë dollarësh, raporton Financial Times. Amerikanët vlerësojnë se kjo iniciativë do të ofronte alternativë të fuqishme kundrejt iniciativave të drejtuara nga shteti i Kinës, që la shumë vende në zhvillim në borxhe të mëdha.
‘Një OPIC i fuqizuar do të ofronte alternativë të fuqishme kundrejt iniciativave të drejtuara nga shteti I Kinës, që la shumë vende në zhvillim në borxhe të mëdha’, theksoi Ëashburne, presidenti i Korporatës Amerikane Private të Investimit (OPIC), teksa po komentonte projektligjin.
OPIC, agjencia që pritet të ketë kapital të dyfishuar, është nënvizuar nga Ministri Lluka si njëri ndër financuesit potencial të projektit të Kosovës së Re. Projektligji i ri në SHBA do të lejojë OPIC të zgjerojë portofolin e saj të investimit deri në 60 miliardë dollarë Amerikanë, nga 29.5 miliardë sa ishte më herët.
Ndryshe, në fund të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës kishte nënshkruar marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane “Contour Global”, për ndërtimin e këtij termocentrali me kapacitet 500 megavat, i cili do kushtojë 1.3 miliard euro.
Kosova ka më shumë se 10 miliardë tonë linjit dhe si i tillë është vendi i pestë në botë për nga sasia e këtij resursi. Thëngjilli që digjet në termocentralin “Kosova A” dhe “Kosova B” shërben si burim kryesor për prodhimin e energjisë elektrike për tërë vendin.