Çfarë zgjidhje ofrojnë zgjedhjet?

Çfarë zgjidhje ofrojnë zgjedhjet?

Me 19 Qershor Kryeministri Ramush Haradinaj ofroi dorëheqjen e tij. Në njoftimin për Qeverinë dhe qytetarët, Kryeministri e arsyetoi këtë veprim si përgjigje ndaj ftesës që Gjykata Speciale i bëri në cilësinë e të dyshuarit. Dorëheqja e Kryeministrit i zuri në befasi partitë politike, duke përfshirë edhe ato që ishin pjesë e koalicionit qeverisës. Pas aktit të dorëheqjes udhëheqësit e institucioneve dhe përfaqësues të partive politike u rreshtuan në mbështetje të veprimit të z.Haradinaj. Megjithatë, nuk munguan edhe të tillë që këtë akt e konsideruan si populist dhe kalkulim politik të një Kryeministri që kishte nuhatur rrezikun e shkarkimit me mocion mosbesimi.

Me dorëheqjen e Kryeministrit dhe rënien e Qeverisë, Presidenti i vendit, në përputhje me obligimet që i cakton Kushtetuta, kërkoi nga përfaqësuesit e koalicionit PAN që të nominojnë një kandidat të ri për Kryeministër. Ndonëse, teknikisht krijimi i një Qeverie të re ishte i mundur, lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherit Kryetar Kuvendit, Kadri Veseli njoftoi Presidentin se koalicioni PAN nuk do të nominoj kandidat të ri për Kryeministër. Për më tepër, ai inicioi një takim urgjent të Kryesisë së Kuvendit, në të cilin përfaqësuesit e të gjitha partive politike pjesë e Kuvendit, përjashtuar Listën Serbe, u pajtuan që Kuvendi të shpërbehet me 22 Gusht.

Ndërkohë që deri atëherë është në diskrecion të Presidentit të vendos nëse do të kërkoj kandidatin për Kryeministër nga koalicioni LAA, zgjedhjet duken të pashmangshme. Sipas afateve kohore të përcaktuara në Kushtetutë, nëse Kuvendi shpërndahet me 22 Gusht atëherë
zgjedhjet do të mbahen në intervalin mes 22 Shtatorit dhe 6 Tetorit. Nëse procesi zgjedhor përmbyllet pa probleme, konstituimi i Kuvendit dhe krijimi i Qeverisë së re do të mund të bëhej deri në fund të vitit. Por çfarë zgjidhje do të ofrojnë zgjedhjet?

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetutese të vitit 2014 vetëm partia ose koalicioni që del i pari në zgjedhje ka të drejtën e nominimit të kandidatit për Kryetar të Kuvendit dhe për Kryeministër. Ndërkohë që partitë tashmë kanë nisur të masin preferancat e opinionit publik,
gjasat janë të mëdha që të jenë të shtyera që në momentet e fundit të lidhin koalicione parazgjedhore. Përvoja nga zgjedhjet e kaluara ka treguar se krijimi i koalicioneve krijon probleme të brendshme për partitë, por edhe rrezikon formimin e dy blloqeve që pastaj rezultojnë me mazhorancë të varur nga votat e deputetëve të komuniteteve pakicë. Dështimi për të përmbyllur reformën zgjedhore do të vazhdoj të krijoj probleme për partitë politike.

Gjithashtu, fushata zgjedhore për zgjedhje të jashtëzakonshme pritet të jetë më e shkurtër, gjë që rritë presionin tek partitë si në organizimin e fushatës, ashtu edhe në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për listën votuese. Një faktor tjetër i rëndësishëm janë edhe temat rreth të cilave partitë politike do të ndërtojnë strategjitë e fushatës. A do të dominohet diskursi publik me temat që ndërlidhen me dialogun me Serbinë, Asociacionin e Komunave Serbe, taksën ndaj produkteve të Serbisë dhe demarkacionin me Malin e Zi, apo me alternativat e partive për politikat publike që sigurojnë luftimin e korrupsionit, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik,
shëndetësinë, arsimin, mjedisin dhe sektorë të tjerë?

Për të diskutuar rreth këtyre çështjeve, në kuadër të platformës së debateve Talk the Talk të Kolegjit Riinvest, janë ftuar z. Arben Gashi (LDK), znj. Blerta Deliu – Kodra (PDK), znj. Albulena Haxhiu (LVV) dhe z. Ahmet Isufi (AAK).