Challandes: Gënjeshtra janë informatat që Aro dhe Zhegrova janë përleshur

Challandes: Gënjeshtra janë informatat që Aro dhe Zhegrova janë përleshur

Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, u paraqit sot në konferencën për shtyp në prag të miqësores me Lituaninë, teksa foli dhe për përjashtimin e portierit, Aro Muriç, duke u shprehur se vendimi tanimë është marrë dhe ky kapitull është mbyllur, njofton Insajderi.

Sipas zërave të mediave vendore, Muriç ka shkuar i dehur në qendrën stërvitore çka ka detyruar stafin e ekipit të marrë masën drastike, duke e përjashtuar nga ekipi për tre sfidat e radhës që përfaqësuesja e Kosovës do të luajë kundër Lituanisë, Suedisë dhe Spanjës.

“Së pari informatat se pati përleshje mes Aros dhe Edon Zhegrovës janë gënjeshtra, sepse nuk ka pasur diçka të tillë. Sa i përket pjesës tjetër, ne tashmë e kemi marrë vendimin dhe për mua kjo çështje përfundon këtu”, tha fillimisht tekniku zviceran.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë për ndeshjet tjera dhe do të vazhdojmë tutje me punën tonë. Krejt çka mund të them është se Aro ka thyer masa disiplinore dhe kaq. Të tregoj detaje të tjera do të ishte mungesë respekti për lojtarin. Nuk mund të jap më shumë informata dhe kjo çështje është mbyllur me publikimin e njoftimit”, u shpreh për fund Challandes. /Insajderi.com