Challandes: Na mungojnë 10 lojtarë të rëndësishëm, nuk është e lehtë për ne

Challandes: Na mungojnë 10 lojtarë të rëndësishëm, nuk është e lehtë për ne

Selektori i Përfaqësueses së Kosovës në futboll, Bernard Challandes, ka folur në një konferencë për shtyp në Athinë, përpara sfidës kualifikuese kundër Greqisë në divizionin C të Ligës së Kombeve, ndeshje që zhvillohet nesër (të mërkuren), me fillim nga ora 20:45, njofton Insajderi.

“Kemi pasur shumë probleme në skuadër, veçanërisht me lëndimet e lojtarëve. Rezultatet nuk janë të mira. Ka qenë zhgënjim i madh pas Maqedonisë, nuk ishte lojë e lehtë ndaj Sllovenisë e nuk është as ndaj Greqisë. Duhet të qëndrojmë skuadër. Duhet të qëndrojë një trajner me skuadër, që ta ndihmojë skuadrën. Nuk kemi kaluar periudhë të mirë. Ta bëjmë më të mirën e mundshme”, tha për fillim tekniku zviceran.

Challandes foli për dy gjëra të rëndësishme, sipas tij, ku njëra është mungesa e lojtarëve të Kosovës për këtë takim, “në kontingjentin tonë na mungojnë dhjetë lojtarë shumë të rëndësishëm. Nuk dua të flasë për ata që mungojnë, por duhet pasur parasysh kjo kur të bëhen analizat”.

Ndërsa tjetër gjë e rëndësishme është, nga kritikat e shumta që vijnë në drejtim të tij dhe ekipit, ku sipas tij nuk janë të nevojshme ku kihet parasysh mungesat e lojtarëve, por edhe kundërshtarët e fortë, siç në këtë rast është Greqia, “unë nuk dua të humbas, por Greqia është Greqi, është vend i madh futbolli dhe ka shumë lojtarë që luajnë jashtë. Ne luajmë në Ligën C dhe nuk duhet të presim të fitojmë pa problem ndaj Greqisë, Sllovenisë apo Moldavisë”, tha Challandes.

Gjithashtu, Challandes, foli edhe për repartet e skuadrës, ku sipas tij, Kosova nuk ka problem me mbrojtjen, por me sulmin, pasi nuk arrinin të shënonin shumë gola, por në fazën sulmuese ka ngecje, pasi nuk shënohen gola.

“Nëse shikoni golat, kemi shënuar autogol, një ndeshje nga gjuajtja e lirë, pastaj një gol nga një gabim se tentuam kurthin e “offside”. Problemi ynë ishte se nuk arritëm të shënonim gol. Mund të provojmë të ndryshojmë skemën, por jo për të tentuar të luajmë më mirë në aspektin defensiv, por të kemi sa më tepër mundësi shënimi”, përfundoi deklaratën Bernard Challandes. /Insajderi.com