Challandes: “Nëse Kosova nuk ndryshon tani mentalitetin atëherë kemi probleme”

Challandes: “Nëse Kosova nuk ndryshon tani mentalitetin atëherë kemi probleme”

Trajneri Përfaqësueses së Kosovës, Bernard Challandes, ka thënë se Kosova nuk po vuan për shkak të taktive të tij, por për shkak të mentalitetit të lojtarëve.

Në një konferencë e cila po mbahet në prag të ndeshjeve kualifikuese për Botërorin “Katari 2022”, Challandes tha se do të bisedojë me futbollistët me ton të ashpër për t’iu ndryshuar mentalitetin.

“Do t’i kemi tri ndeshje të vështira dhe interesante. Nuk është garë e re për mua sepse kemi luajtur ndaj Spanjës dhe Suedisë. Por për mua ky është fillim i ri, sepse kemi pasur sukses në fillim dhe pastaj mossukses. Është koha për ta ringritur ekipin dhe për ta riformuar një skuadër. Është koha për të gjetur një lojë me mentalitet të fortë për ekipin e Kosovës përsëri, fatkeqësisht nuk është koha e duhur për ta bërë këtë sepse kemi probleme me lëndime, me Covid me operacione”, tha Challandes.

Ai shtoi se “Nuk është problemi taktik, teknik, fizik, është problemi i mentalitetit dhe nëse Kosova nuk ndryshon tani mentalitetin atëherë kemi probleme. Do të flas menjëherë, qartë dhe të ashpër me ekipin sonte.”

Përfaqësuesja e Kosovës do të grumbullohet sot në Prishtinë, ku seancat stërvitore do të nisin nga ora 19:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”./Insajderi.com