Challandes publikon listën e lojtarëve për ndeshjet e nëntorit

Challandes publikon listën e lojtarëve për ndeshjet e nëntorit

Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, bëri publike listën e lojtarëve të grumbulluar për ndeshjet e muajit nëntor të përfaqësueses “Dardane”, njofton Insajderi.

Përzgjedhësi Challandes për këto tri ndeshja ka ftuar 27 futbollistë, si dhe dy lojtarë i ka në listën rezervë.

Tekniku zviceran i ka dhënë mundësinë golashënuesit më të mirë të Superligës së Kosovës, Mirlind Daku, dhe lojtarit të Saint – Gallen, Betim Fazlijit, duke i grumbulluar për herë të parë më Përfaqësuesen A.

Një tjetër befasi në listën e lojtarëve të Kosovës të thirrur për ndeshjet me Shqipërinë (miqësore) dhe Slloveninë e Moldavinë (Liga e Kombeve), është thirrja e lojtarit të Akhmat Grozny-t, Bernard Berishës, i cili nuk u thirr herën e fundit me Kosovën pas problemeve që kishte me trajnerin, për festimin e golit ndaj Greqisë.

Kosova do të grumbullohet me nëntë nëntor, në Durrës, ku do të zhvillojnë përgatitjet për ndeshjen miqësore me Shqipërinë. /Insajderi.com