City befasohet në shtëpi nga Leeds United

City befasohet në shtëpi nga Leeds United

Në javën e 32-të në Premier League, ka ndodhur befasia. Leeds United fiton ndaj Manchester Cityt me shifrat 1:2, për më shumë, ekipi i Marcelo Bielsas shënoi golin e fitores, edhe pse kishte një lojtar më pak, njofton Insajderi.

Bielsa e kishte përgatitur mirë takimin, pasi tre minuta para se skuadrat të shkonin në pushimin mes dy pjesëve, realizuan për epërsinë e parë. Autor i golit ishte Stuart Dallas. Në minutën e parë shtesë, gjërat u komplikuan për miqtë, pasi Liam Cooper u ndëshkua direkt me karton të kuq, kështu pjesën e dytë të ndeshjes, mysafirët e zhvilluan me 10 lojtarë.

Në fraksionin e dytë të ndeshjes, ‘qytetarët’ tentuan sa më parë ta barazonin rezultatin, mirëpo goli i barazimit nuk erdhi deri në minutën e 76-të, kur shënoi spanjolli Ferran Torres, pas një asistimi të pranuar nga portugezi Bernardo Silva.

Kur pritej që nikoqirët të shënonin golin e fitores, pasi në pjesën e mbetur kishin intensifikuar sulmet e tyre, nga një kundërsulm në minutën e parë shtesë të takimit, Dallas shënoi golin e fitores, duke shokuar Guardiolën dhe lojtarët e tij. Për realizimin e këtij goli, kontribuoi edhe Ezgjan Alioski, pasi asistoi për golashënuesin e dyfishtë në këtë takim.

Edhe pas kësaj disfate City mbete kryesues me 74 pikë, por ka dy ndeshje më shumë të zhvilluara se përcjellësi i parë Manchester United që ndodhen në kuotën e 60 pikëve.

Leeds United me këto tre pikë, ngjitet në vendin e 10-të në ligë me 45 pikë, tre më shumë se Arsenali i vendit të 11-të. /Insajderi.com