Clinton dhe Trump gati për betejën historike të debatit

Debatet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, i pari i të cilëve mbahet mbrëmjen e së hënës, do të jenë ndryshe nga çfarë është parë deri tani. Debatet e zgjedhjeve paraprake patën një numër rekord shikuesish e nuk kursyen ofendimet, mburrjen, thirrjet e zhurmshme të publikut, apo talljen e kandidatëve me njëri-tjetrin.

Clinton dhe Trump gati për betejën historike të debatit

Me zgjedhjet presidenciale që po afrohen, republikani Donald Trump dhe demokratja Hillary Clinton përballen të hënën në debatin e tyre të parë presidencial, një “betejë” e cila vjen në momentin që po konsiderohet si një nga më të përfolurit në histori të politikës moderne amerikane.

Një audiencë që e rivalizon atë të ngjarjes më të shikuar sportive në Amerikë, Super Boël – ndoshta rreth 100 milionë amerikanë – do të jenë para ekraneve televizive, në telefonat e mençur dhe rrjetet sociale, kur rivalët do të përballen “pa doreza” në orën nëntë të mbrëmjes (në orën 03:00 sipas kohës tonë).

Donald Trump ka një zotësi të rrallë të manipulojë moderatorët. Është kritik i “status quo”-së, ankohet për çdo gjë nga Siria, Iraku, Libia e deri te tregtia me Kinën. E përdor mirë taktikën e frikës. Mund të jetë zbavitës në momente të caktuara. Armiqësitë i përballon mirë, sepse është mësuar dhe di t’u rrëshqasë pyetjeve. Por ka dhe disa dobësi të mëdha, që nisin me njohuritë politike.

Dy kandidatë në skenë dhe 90 minuta kohë për t’u mbushur nuk janë aspak pozitive, kur nis nga përsëritjet. Trumpi nuk i përballon mirë kritikat dhe, nëse e humbet durimin në këtë debat, siç ka bërë herë të tjera, do t’i ulë pikë vetes.

Hillari Clinton, nga ana tjetër, i ka me bollëk njohjet që i mungojnë rivalit të saj. Ajo e di mirë çfarë ndodh me ekonominë, të drejtat e njeriut, marrëdhëniet me Rusinë, luftën kunder terrorizmit. Edhe ata që s’janë dakord me të, nuk thonë dot që është e keqinformuar.

Është me këmbë në tokë dhe ka aftësinë të nxjerrë në pah kontrastet e thella mes propozimeve të saj dhe atyre të kundërshtarit. Shumë mendojnë se është pak e ngurtë e ka një sjellje prej roboti, e kjo konsiderohet dobësi, por së fundi është shfaqur shumë më e qetë.

Problemi më i madh i saj janë përgjigjet evazive, të cilave duhet t’ua gjejë ilaçin shpejt. /Insajderi.com