Clinton e lumtur me përzgjedhjen e Kamala Harris si partnere kryesore e Biden

Clinton e lumtur me përzgjedhjen e Kamala Harris si partnere kryesore e Biden

Ish-sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, është shprehur shumë e lumtur me përzgjedhjen që kandidati demokrat për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden ka nominuar, Kamala Harris si partnere kryesore dhe në rast se demokratët fitojnë zgjedhjet përballë presidentit aktual, Donald Trump.

Kamala ka qënë sfiduese e Biden në zgjedhjet e brendshme të kampit demokrat deri në fund të vitit 2019.

Por, tashmë ajo do të jetë në krahun e Biden në luftë kundër Trump-it dhe për këtë do ta kenë mbështetjen e Clintonit, e cila kishte humbur zgjedhjet presidenciale në SHBA nga Donald Trump në vitin 2016, raporton Insajderi.

“Jam e emocionuar që e mirëpres Kamala Harris në një mundësi historike demokratike. Ajo tashmë e ka dëshmuar veten të jetë një shërbëtore e interesave publike dhe udhëheqëse e jashtëzakonshme. Unë e di se ajo do të jetë një partnere e  fortë e Joe Biden. Ju lutem bashkohuni me mua për ta zgjedhur atë”, ka shkruar në Facebook Clinton.

Zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të zhvillohen në një kohë pandemie, ku një ndër faktorët përcaktues të këtyre zgjedhjeve do të jetë edh menaxhimi i pandemisë COVID-19. /Insajderi.com/