CNN: Pse ishte aq vështirë të shuhej zjarri në Notre Dame?

CNN: Pse ishte aq vështirë të shuhej zjarri në Notre Dame?

Portat e vjetra prej druri, guri nga pjesa e jashtme e ndërtesës dhe arkitektura gotike kanë ndërlikuar ndjeshëm shuarjen e zjarrit në Notre Dame, thonë ekspertët.

Siç shpjegon CNN, gjatë zjarrit, kulla kryesore dhe shumica e kulmeve të katedrales së vjetër në Paris u shkatërruan, por dy zilet dhe struktura kryesore u ruajtën.

Rreth 400 zjarrfikës punuan për orë të tëra të shuajnë zjarrin me ujë të pompuar  nga lumi Sena, ndërsa dronët monitoruan dëmet, transmeton KosovaPress.

Megjithatë, sipas ekspertëve, problemi më i madh ishte qasja në trarët e çatisë prej druri, e cila formon kornizën për çatinë e madhe.

Ndërsa trarët filluan të digjeshin, pjesa e jashtme e katedrales, e bërë prej guri, e bënte të vështirë për zjarrfikësit që ishin jashtë ndërtesës për t’u afruar te zjarri.

Në fakt, guri ruan ngrohtësinë dhe tymin, gjë që i pengoi ata të punonin brenda katedrales.

Problemi ishte edhe lartësia e katedrales, pasi për shkak të vetë strukturës kishte shumë oksigjen që shpërthente në zjarr.

CNN po ashtu vë në dukje se shuarja e zjarrit nga ajri, siç sugjerohet nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, nuk ishte realist.

Sipas profesorit të kolegjit të Nju Jorkut, Glenn Korbet, asnjë pilot nuk do të ishte në gjendje të hidhte ujë pikërisht në një vend, nëse lëviz disa qindra kilometra në orë.

Agjencia franceze e Sigurisë Civile tha se çdo shkarkim i ujit nga ajri mund të “dobësojë strukturën e Notit të Damës dhe të çojë në dëmet kolaterale në ndërtesat e afërta”.

“Në 20 minutat e para, ishte shumë e qartë se do të ishte një zjarr i keq”, tha ish- zjarrfikësi në Shërbimin Zjarrfikës të Sent Louis në SHBA, Greg Favre.

Ai shton se fakti që zjarrfikësit arritën të vënë zjarrin nën kontroll dhe të shpëtonin një pjesë të madhe të ndërtesës, duke përfshirë dy kullat, tregon një përpjekje të jashtëzakonshme.

Pas nëntë orëve luftimesh, sot herët në mëngjes, zjarrfikësit arritën të vënë nën kontroll zjarrin, i cili u shua plotësisht disa orë më vonë.