Vendet duke përfshirë Francën, Suedinë, Danimarkën, Irlandën dhe Tajlandën kanë pezulluar përkohësisht përdorimin e vaksinës AstraZeneca pas raporteve se tek disa njerëz u zhvillua mpiksje të gjakut, megjithëse nuk ka asnjë provë se vaksinat janë përgjegjëse.
Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thonë se të dhënat në dispozicion nuk sugjerojnë që vaksina ka shkaktuar mpiksjen dhe se njerëzit duhet të vazhdojnë të imunizohen sepse përfitimet tejkalojnë rreziqet.
Danimarka ishte vendi i parë që ndaloi përdorimin e vaksinës AstraZeneca javën e kaluar pas raporteve të mpiksjes së gjakut në disa njerëz, përfshirë një person që zhvilloi mpiksje të shumta dhe vdiq 10 ditë pasi kishte marrë të paktën një dozë.
Autoritetet shëndetësore daneze thanë se pezullimi do të zgjasë të paktën dy javë ndërsa rastet po hetoheshin ndërsa gjithashtu vunë në dukje se, “aktualisht, nuk mund të konkludohet nëse ka një lidhje midis vaksinës dhe mpiksjes së gjakut”.
Norvegjia, Islanda, Bullgaria, Tajlanda dhe Kongo shpejt ndoqën shembullin.
Të shtunën, autoritetet norvegjeze raportuan se katër persona nën moshën 50 vjeçare që kishin marrë vaksinën AstraZeneca kishin një numër jashtëzakonisht të ulët të trombociteve të gjakut, gjë që mund të çonte në gjakderdhje të rëndë. Pas pak, Irlanda dhe Holanda njoftuan se po ndalonin gjithashtu përkohësisht përdorimin e vaksinës AstraZeneca.
Shumica e autoriteteve shëndetësore kombëtare nënvizuan se pezullimi i vaksinës AstraZeneca ishte një hap parandalues.
Presidenti francez, Emmanuel Macron tha se Franca gjithashtu do të pezullojë përdorimin e saj derisa autoriteti shëndetësor evropian, EMA, të mund të rishikojë vaksinën, që pritet të ndodhë brenda ditësh.
Sllovenia, Spanja dhe Portugalia ndaluan gjithashtu vaksinimet e AstraZeneca të hënën.
Në përgjigje të pezullimeve, AstraZeneca tha se kishte rishikuar me kujdes të dhënat për 17 milionë njerëz që morën doza në të gjithë Evropën. Kompania tha se nuk kishte “asnjë provë të një rreziku në rritje” të mpiksjes së gjakut në çdo grup-moshë ose gjini.
A ka prova se vaksina është përgjegjëse?
EMA thotë se nuk ka “asnjë indikacion që vaksinimi ka shkaktuar këto probleme”, duke shtuar se numri i raporteve të mpiksjes së gjakut tek njerëzit që morën vaksinën AstraZeneca nuk ishte më i lartë sesa për ata që nuk kishin marrë atë.
Në Britani, ku janë administruar 11 milionë doza të vaksinës AstraZeneca – më shumë se çdo vend tjetër – ka pasur raporte për rreth 11 njerëz që kanë pasur mpiksje gjaku pasi kanë marrë një dozë. Asnjë nuk është provuar të jetë shkaktuar nga vaksina.
Disa mjekë theksuan se që kur fushatat e vaksinimit filluan duke dhënë doza për njerëzit më të rrezikuar, ata që tani po imunizohen gjithashtu ka më shumë të ngjarë të kenë tashmë probleme shëndetësore, duke e bërë më të vështirë përcaktimin nëse vaksina është përgjegjëse.
Mpiksjet e gjakut që formohen në krahë, këmbë ose diku tjetër ndonjëherë mund të lirohen dhe të udhëtojnë në zemër, tru ose mushkëri, duke shkaktuar goditje në tru, sulme në zemër ose një bllokim vdekjeprurës të rrjedhjes së gjakut.
Pse kaq shumë vende ndaluan vaksinimet me AstraZeneca?
Vaksinat që për një kohë të shpejt janë të gatshme për përdorim, është e pritshme që të raportohen disa çështje serioze shëndetësore dhe vdekje – thjesht sepse miliona njerëz do të vaksinohen dhe problemet mund të pritet të ndodhin në një grup kaq të madh.
Shumica dërrmuese e këtyre përfundojnë të mos jenë të lidhura me vaksinën, por për shkak se vaksinat Covid-19 janë ende eksperimentale, shkencëtarët duhet të hetojnë çdo mundësi që vaksina të ketë disa efekte anësore të paparashikuara.
Vaksinat konsiderohen eksperimentale sepse janë zhvilluar vetëm vitin e fundit, kështu që nuk ka të dhëna afatgjata për asnjërën prej tyre. /Insajderi.com