Covid: Kili fillon dozën e katërt të vaksinës

Covid: Kili fillon dozën e katërt të vaksinës

Kili ka filluar administrimin e dozave të katërta të vaksinave kundër Covid-19, duke u bërë vendi i parë i Amerikës Latine që e bën këtë, pasi varianti Omicron nxiti shpërthim të rasteve.

Personat me sistem imunitar të dobësuar do të jenë të parët që do të marrin vaksinat. Fushata do të shtrihet për të gjithë ata që janë mbi 55 vjeç në muajin shkurt.

Infeksionet po rriten në të gjithë Amerikën e Jugut, e cila u godit keq nga valët e mëparshme të pandemisë, shkruan BBC, transmeton Insajderi.com.

Që atëherë, disa vende kanë arritur nivele të larta të vaksinimit.

Kili ka vaksinuar plotësisht më shumë se 14 milionë njerëz mbi moshën tre vjeç, nga një popullsi prej 19 milionë, sipas ministrisë së shëndetësisë. Rreth 11.3 milionë njerëz kanë marrë tashmë një dozë të tretë.

Fushata e vendit filloi me vaksinën Sinovac të prodhuar nga Kina dhe zgjerimi i programit për të përfshirë dozat e katërta do të përdorë një kombinim të vaksinave Sinovac, Pfizer dhe AstraZeneca.

Presidenti Sebastián Piñera, i cili vizitoi një spital të Santiagos ku u ofruan injeksionet e katërta të hënën, u kërkoi gjithashtu njerëzve që të vaksinohen, duke thënë se vaksinat janë “të sigurta dhe funksionojnë”.

Ai tha për ata që refuzojnë të vaksinohen: “Ajo që po bëni është e papërgjegjshme. Nëse nuk jeni të vaksinuar, do të infektoheni, do të infektoni familjet tuaja, partnerët [dhe] kolegët e punës.” /Insajderi.com