Dalin detaje të reja rreth zhdukjes së Kim Jong Un

Dalin detaje të reja rreth zhdukjes së Kim Jong Un

Sekretari i Shtetit Amerikan, Mike Pompeo, e ka konfirmuar këtë duke shtuar se janë duke përcjell në vazhdimësi e me kujdes raportet mbi shëndetin e tij dhe gjendjen në Korenë e Veriut pasi ato kanë ndikim në misionin përfundimtar amerikan, demilitarizimin bërthamor të Koresë së Veriut

Ai po ashtu ka shprehur shqetësimin se Koreja e Veriut mund të goditet nga një shpërthim i ri i koronavirusit apo nga zija e urisë.

“Ne nuk e kemi parë atë. Ne nuk kemi informacion apo diçka për të raportuar sot, po e shikojmë nga afër. Ka një rrezik real se do të ketë zi buke në Korenë e Veriut po ashtu” tha Pompeo.

Ai shtoi se ata po i vëzhgojnë zhvillimet me kujdes pasi ato kanë ndikim në misionin e administratës amerikane.

“Ne po i shikojmë secilën nga këto gjëra nga afër, pasi kanë ndikim real në misionin e caktuar, që është përfundimisht demilitarizimi bërthamor i Koresë së Veriut” tha sekretari i shtetit amerikan.

Në dekadën e fundit të shekullit të kaluar një krizë e madhe urie i kishte goditur shtetin e mbyllur pas rënies së bllokut sovjetik komunist dhe besohet se dhjetëra mijëra  koreanë kishin vdekur nga zija e bukës.

Kim Jong Un është shfaqur publikisht në mediat shtetërore më 12 prill, duke ngjallur spekulimet se është seriozisht i sëmurë.

Mungesa e tij nxiti dyshime që nga festimi i ditëlindjes së gjyshit të tij Kim Il Sung me 15 prill, të parit të dinastisë së pushtetit korean verior super komunist, ku ai mungoi. Kjo ngjalli spekulime të shumta, pasi është datë e rëndësishme në historinë e tyre.

Por që zyrtarë nga Koreja e Jugut kanë thënë më vonë se raportimet e tilla janë të pavërteta.

Vet presidenti amerikan Trump kishte deklaruar të hënës se e kishte një ide të qartë rreth gjendjes së ‘liderit suprem’ Kim Jong-Un dhe i kishte uruar shërim të shpejtë dhe kishte shtuar se nuk mund të flasë më shumë.