
Ardin Dallku është përforcimi i parë i Shkëndijës së Tetovës për merkaton e janarit. Ish-mbrojtësi i Vorskla Poltavës në kampionatin ukrainas dhe njëkohësisht vëllai i vogël i trajnerit aktual të Prishtinës Armend Dallku, tashmë është zyrtarisht pjesë e kampionëve të Maqedonisë së Veriut.
KF Shkëndija me kënaqësi konfirmon gjetjen e akordit të bashkëpunimit me mbrojtësin kosovar Ardin Dallku. Në fakt, është një lëvizje që do të hyjë në fuqi në mënyrë juridike në janar të vitit të ardhshëm kur futbollisti 24 vjeçar do të fitojë të drejtë loje.
“Jam i lumtur që në të ardhmen do të luajë për një klub si Shkëndija. Gjatë kohë isha pjesë e kampionatit ukrainas dhe jam shumë i motivuar për këtë eksperiencë të re. E di se Shkëndija ka ambicie të mëdha, unë gjithashtu dhe premtoj të jap gjithçka nga vetja për të ndihmuar ekipin të realizojë objektivat”, shprehet Ardin Dallku.
Ardin Dallku vjen nga kampionati ukrainas ku u paraqit vite me rradhë me ekipin Vorskla Poltava. 24 vjeçari luajti me shpresat e Prishtinës para se në vitin 2012 të transferohej në Ukrainë, fillimisht te ekipi i të rrinjëve. Deri në vitin 2016 luante me juniorët, para se të kalonte në ekipin e parë kur në tre vite regjistroi 60 paraqitje dhe shënoi 2 gola.
Vendimin e Ardin Dallkut për të mos vazhduar me Vorsklan e shfrytëzon Shkëndija që e afron kosovarin në skuadër.
Dallku tashmë është bashkuar me kuqezinjtë në seancat stërvitore, madje duke lënë pas vetes 45 minutat e para me fanellën e Shkëndijës në miqësoren me Dritën e Gjilanit (29 shtator) ku luajti në pjesën e dytë dhe shënoi golin e fundit në fitoren 4:0.
Ai do të punojë gjithë kohën me grupin nën urdhërat e trajnerit Ernest Gjoka, për t’a pritur i akomoduar dhe sa më i përgatitur gjysmëstinorin pranverorë kur fiton të drejtë loje.