Dani Alves i ribashkohet Brazilit për kualifikimet e Botërorit

Dani Alves i ribashkohet Brazilit për kualifikimet e Botërorit

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Brazilit, Tite ka rikthyer në ekip mbrojtësin e krahut të djathtë, 38-vjeçarin Dani Alves. Tite të premten e publikoi listën e futbollistëve, në të cilët llogarit për ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Botëror “Katari 2022”. Brazili më 4 qershor do të përballet me Ekuadorin kurse katër ditë më vonë, do të luajë edhe kundër Paraguait. Për Alvesin, kjo do të jetë paraqitja e parë ndërkombëtare që nga muaji tetor i vitit 2019. Atëbotë, Alves që është pjesë e Sao Paulos, u shpall lojtari më i mirë i turneut Copa America, në të cilin triumfoi Brazili.

Tite ka thënë shkurt se ka besim të madh në Alvesin dhe kur e ka përpiluar listën për dy ndeshjet eliminatore, nuk e ka shikuar moshën, por paraqitjet e tij të mira. Alves këtë edicion ka shënuar një gol dhe ka bërë katër asistime në 11 ndeshje për Sao Paulon, ekip te i cili e mbanë shiritin e kapitenit.

“Është shumë mirë ta shohësh Dani Alvesin duke luajtur ende në një nivel të lartë. Ai ka merituar të jetë pjesë e ekipit dhe mbi të gjitha unë kam besim të madh në aftësitë e tij”, ka thënë Tite.

Alves, i cili ka fituar trofe në Evropë me fanellën e Sevillas, Barcelonës, Juventusit, Paris Saint-Germainit para se të kthehej në Brazil në vitin 2019, ka gjasa të mëdha që të paraqitet në Botërorin e tij të katërt në vitin e ardhshëm. Alves është njëri prej lojtarëve më të dekoruar të Brazilit, me një total prej 36 trofeve të fituar në Evropë prej vitit 2003 deri në vitin 2019. Krahas Alvesit, Tite ka përfshirë në ekip edhe një veteran tjetër. Bëhet fjalë për qendërmbrojtësin e Chelseat, Thiago Silvan.

“Mendoj se kam bërë përzgjedhjen më të mirë të mundshme”, shtoi Tite.

Ndeshjet e qershorit në kuadër të eliminatoreve të Amerikës së Jugut, do të shënojnë gjithashtu edhe kthimin e mesfushorit të Manchester Unitedit, Fredit te Brazili. Fred nuk ka qenë pjesë e Brazilit prej Kampionatit Botëror “Rusia 2018”. Gjithashtu, pjesë e Brazilit për këto ndeshje do të jetë edhe sulmuesi i PSG-së, Neymari.

“Është e rëndësishme t’i fitojmë këto ndeshje për ta mbajtur pozitën e parë për shkak se synimi ynë është të sigurojmë sa më herët kualifikimin për Botërorin e vitit të ardhshëm”, u shpreh Tite.

Brazili është lider i grupit kualifikues të Amerikës së Jugut, me 12 pikë të mbledhura pas katër ndeshjeve të zhvilluara. Përfaqësuesja e Argjentinës zë vendin e dytë me dhjetë pikë të mbledhura derisa Ekuadori është i treti më nëntë pikë. Pas këtij raundi të kualifikimeve, përfaqësueset e Amerikës së Jugut do të kthejnë fokusin kah turneu i vlefshëm “Copa America”. Ky turne nis më 13 qershor dhe për herë të parë do të organizohet në dy vende, Argjentinë dhe Kolumbi./Insajderi.com