Largimi i korrespondentes Michele Kelemen vjen pak ditë pasi zoti Pompe" />

DASH heq gazetaren nga grupi i medias që do të shoqërojë sekretarin Pompeo në Ukrainë

Departamenti amerikan i Shtetit hoqi një gazetare të Radios Publike Kombëtare nga ekipi i medias që do të shoqërojë Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo gjatë një turneu që ai do të fillojë së shpejti, sipas njoftimit të një shoqate shtypi dhe radios në fjalë.

DASH heq gazetaren nga grupi i medias që do të shoqërojë sekretarin Pompeo në Ukrainë

Largimi i korrespondentes Michele Kelemen vjen pak ditë pasi zoti Pompeo u përplas me një tjetër gazetare të kësaj radioje, kur ajo po e intervistonte në Departamentin e Shtetit.

Heqja e gazetares Kelemen, e cila ishte pjesë e grupit të korrespondentëve që do të shoqërojnë zotin Pompeo gjatë turneut në Mbretërinë e Bashkuar, Ukrainë, Bjellorusi dhe Azinë Qendrore, mund të shihet vetëm si hakmarrje për intervistën e koleges së saj, tha Shoqata e Korrespondentëve të Departamentit të Shtetit, SDCA.

“Korpusi i shtypit i Departamentit të Shtetit ka një traditë të gjatë të shoqërimit të sekretarëve të shtetit gjatë udhëtimeve të tyre dhe ne e shohim të papranueshme faktin që ndëshkohet një anëtare e shoqatës sonë,” tha Shaun Tandon, kreu i shoqatës, në një deklaratë.

Gazetarja Kelemen mbulon Departamentin e Shtetit prej dy dekadash.