DASH urdhëron ambasadorin Sondland të mos dëshmojë në Kongres

Administrata e Presidentit Donald Trump urdhëroi të martën ambasadorin amerikan në Bashkimin Evropian Gordon Sondland, që të mos paraqitet përpara Kongresit për t’u marrë në pyetje lidhur me komunikimet mes zotit Trump dhe zyrtarëve ukrainas që janë bërë shkak për një hetim për shkarkimin e presidentit.

DASH urdhëron ambasadorin Sondland të mos dëshmojë në Kongres

Tre komisione të Dhomës së Përfaqësuesve kishin planifikuar të merrnin në pyetje të martën në mëngjes zotin Sondland në seanca me dyer të mbyllura. Por avokati i zotit Sondland tha se një urdhër i Departamentit të Shtetit e detyroi klientin e tij të mos paraqitej.

“Ai është ambasador në detyrë dhe punonjës i Departamentit të Shtetit dhe duhet të zbatojë urdhrin e tyre”, tha avokati i tij Robert Luskin.

Seanca me dyer të mbyllura ishte pjesë e hetimit për ngritjen e akuzave ndaj Presidentit Trump.

Në një reagim kryetari i Komisionit të Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve Adam Schiff tha se Departamenti i Shtetit nuk po i jep Kongresit mesazhet e ambasadorit amerikan në Bashkimin Evropian që siç tha ai janë të rëndësishme për hetimin.

Në një postim në Twitter që pasoi këtë zhvillim presidenti shkruante:

“Do të doja ta dërgoja ambasadorin Sondland për të dëshmuar, një njeri me të vërtetë të mirë dhe amerikan i madh, por për fat të keq ai do të dëshmonte përpara një gjykate krejtësisht të kompromentuar, që injoron standardet e drejtësisë e të ligjit, ku të drejtat e republikanëve janë hequr dhe ku faktet nuk lejohen për publikun”.

Të hënën Presidenti Trump e kritikoi sërish hetimin duke e quajtur “një skemë mashtruese” të demokratëve, të cilët siç tha, nuk duan që ai të fitojë një mandat të dytë si president.

Zoti Sondland është bërë një figurë e rëndësishme e hetimit që po kryen Kongresi, për shkak të përpjekjeve të tij që Ukraina të angazhohej në hetimin e kundërshtarit të mundshëm të zotit Trump në garën presidenciale, ish-nënpresidentin Joe Biden dhe djalin e tij, Hunter Biden.

Sipas ankesës së një informatori, e cila nxiti hetimin ndaj Presidentit, thuhet se një ditë pas bisedës telefonike të zotit Trump me Presidentin e Ukrainës Zelenskiy, zoti Sondland dhe Kurt Volker i cili ishte i dërguar i posaçëm amerikan në Ukrainë, u takua me udhëheqësin e Ukrainës e figura të tjera politike.

Informatori shkruan se sipas bisedave të zbardhura të atyre takimeve e të rrëfyera nga zyrtarë amerikanë “ambasadorët Volker e Sondland i kanë këshilluar udhëheqësit ukrainas se si t’u “qaset” kërkesave që Presidenti i kishte bërë atij.

Duke folur për gazetarët të hënën në Shtëpinë e Bardhë, zoti Trump përsëriti se biseda e tij me zotin Zelenskiy ishte “perfekt”. Në përgjigje të interesimit të gazetarëve, presidenti tha se nuk ndihej i shqetësuar nga njoftimet për një informator të dytë mbi këtë çështje. Zoti Trump tha gjithashtu se telefonata e tij me udhëheqësin e Ukrainës ishte “miqësore” duke shtuar se nuk kishte pas “presion”.

Komisionet e Zbulimit, Punëve të Jashtme dhe Mbikëqyrjes të Dhomës së Përfaqësuesve që janë në krye të hetimit, kanë zhvilluar seanca dëgjimore dhe kanë bërë kërkesa zyrtare për dokumente nga anëtarët e administratës Trump dhe avokati personal i presidentit, Rudy Giuliani.

Të hënën ata lëshuan një kërkesë të re drejtuar sekretarit të Mbrojtjes Mark Esper dhe drejtorit në detyrë të zyrës së menaxhimit dhe buxhetit Russell Vought për dorëzimin deri më 15 tetor të dokumenteve në lidhje me vendimin e zotit Trump për të ndaluar ndihmën ushtarake për Ukrainën.

Një pjesë e hetimit përfshin shqyrtimin nëse vendimi i zotit Trump për të ndaluar ndihmën ushtarake për Ukrainën ishte i lidhur me kërkesën e tij për një hetim ndaj Joe Bidenit dhe djalit të tij. Ndërkohë autoritetet në Ukrainë nuk është gjetur asnjë provë për përfshirjen e tyre në korrupsion./voa.