Davids: Problemi i madh i Juventusit është Ronaldo

Davids: Problemi i madh i Juventusit është Ronaldo

Edgar Davids, ish-futbollisti holandez i Juventusit, ka bërë prognozën e tij për finalen e madhe të Champions-it, që do të luhet nesër mbrëma në Cardiff.

Ai ka thënë se në finale është gjithmonë vështirë të parashikohet por që mund të përfundon tek penaltitë.

“Finalja është shumë e vështirë, si përherë. Nuk ka favoritë. Një vit më parë, Real Madrid me Atletico Madrid luajtën mirë, por përfunduan te penalltitë. Kjo mund të ndodhë sërish, sepse finalet e Champions-it janë të paparashikueshme”, ka thënë ai.

“Torino është shtëpia ime, ndihem pjesë e Juves, natyrisht do të doja të isha në fushë duke luajtur me të. Djemtë kanë arritur në finale, çka është një ëndërr për çdo lojtar. Shpresoj që bardhezinjtë ta fitojnë trofeun. Unë mendoj se Juve është shumë më e fortë se dy vjet më parë”, ka shtuar ai.

Davids ka thënë se Ronaldo është problemi i madh për Juventusin.

“Real Madridi ka dy apo tre lojtarë, të cilët mund të bëjnë diferencën. Ata kanë një të quajtur Ronaldo, që mund t’i bëjë gjëmën kujtdo. Ky është problemi i madh për Juventusin. Real Madridi, edhe nëse luan keq, ka lojtarë që shpikin diçka nga e pamundura. Kjo është diferenca midis një klubi normal dhe merenguesve. Partneriteti Dybala-Higuain? E shoh si referencë të lojës së Juventusit. Janë një duet i mirë, por jo në nivelin e Cristiano Ronaldos”, ka shtuar ai.

“Në të ardhmen do të vazhdojnë të përmirësohen, por tani portugezi është mbi to. Dybala është një talent shumë i madh, por nuk e krahasoj dot me Messin, siç kam dëgjuar. Leo është unik. “Topi i Artë”? Do ta meritojë një nga skuadra që fiton finalen e Champions-it. Unë shpresoj se mund të jetë vendimtar Gigi Buffon”, ka përfunduar Davids.