Pritjes së Gianni De Biasit, për të marrë drejtimin e një përfaqësueseje duket se po i vjen fundi. Trajneri italian, që zotëron edhe pasaportën shqiptare, në një intervistë për mediat italiane e pranoi se është gati të emërohet trajner i një kombëtareje, por pa e thënë hapur emrin.
Tekniku italian me shumë gjasë do të emërohet trajner te Azerbajxhani, ekip që dështoi të kualifikohej në fazën “play off” të Nations League në një grup që u dominua nga Kosova.
Trajneri i Azerbajxhanit, Gurban Gurbanov, u shkarkua nga detyra pas ndeshjes së fundit me “Dardanët”, ndaj federata e futbollit të këtij vendi është në kërkim të një trajneri ambicioz të huaj, që ka dhënë prova se mund të bëtë diçka të madhe me një ekip të vogël.
Kryeqyteti i Azerbajxhanit, Baku, është një prej qyteteve që do të presë ndeshje të Euro 2020, ndaj ka interes të madh për të afruar një trajner i cili ka përvojë në kampionate evropiane.