Interi po kalon situatën më të vështirë dhe siguria e vetme në Itali për të ardhmen e zikaltërve shihet te një trajner italian. Më të lakuarit janë Antonio Konte dhe Simeone.
Dy dëshirat e mëdha të presidentit Zhang nuk duket se japin shumë shpresë, pasi nuk kanë shprehur ende dëshirën për t’u larguar nga Çelsi dhe Atletiko Madrid.
Mirëpo, nga mediat italiane del një tjetër emër si ide: Xhani De Biazi. Është gazetari i kompanisë “Sky Sport”, Masimo Mauro, ai që e ka dhënë një deklaratë të tillë: “Trajneri i Interit? Nëse nuk do të vijë Konte, them që mund të jetë De Biazi.
Është trajner i zoti dhe mund të jetë një ide. Besoj se Interi do të ketë nevojë që të vendosë një trajner italian në krye të ekipit”, ka deklaruar gazetari.
Një deklaratë e tillë në këtë moment nuk tregon shumë rreth të ardhmes së trajnerit të Kombëtares shqiptare, mirëpo është një lakim që sigurisht shton pozitat e trajnerit të Shqipërisë në arenën europiane të futbollit dhe specifikisht në Serinë A.
Interi shkarkoi trajnerin Pioli një javë më parë për serinë e rezultateve negative. Ndeshjen e kësaj fundjave me Sasuolon e ka drejtuar Veki, tekniku i të rinjve zikaltër. De Biazi do të jetë nën kontratë me Shqipërinë deri në përfundim të këtyre kualifikueseve që janë të vlefshme për kampionatin botëror “Rusi 2018”.
Për momentin, Federata Shqiptare e Futbollit nuk ka dhënë asnjë sinjal për rinovimin e kontratës, pasi vetë kreu i saj, Armand Duka, deklaroi se: “Do ta mbajmë De Biazin prej brekësh në rast se na kualifikon”. /Insajderi.com