Amir Abrashi ka luajtur 46 minuta lojë në humbjen e sotme me rezultat 5 me 2 të skuadrës së tij, Freiburg ndaj Werder Bremen.
Futbollisti i kombëtares shqiptare nuk kishte luajtur në ndeshjen e kombëtares shqiptare të premten e shkuar ndaj Italisë. Trajneri i kombëtares, Gianni De Biasi kishte thënë se futbollisti është i lënduar.
Madje, Abrashi nuk ishte paraqitur as në ndeshjen miqësore ndaj Bosnjë dhe Hercegovinës të martën e kësaj jave, pasi kishte lënë grumbullimin menjëherë pas ndeshjes me Italinë.
“Nuk ka asnjë lloj refuzimi. Xhaka ka shkuar sepse ka disa probleme, Abrashi ka problem fizike në gju”, kishte thënë De Biasi, kur ishte pyetur rreth arsyes së largimit të Abrashit dhe Xhakës.
Abrashi luajti sot, vetëm katër ditë pas ndeshjes së Shqipërisë ndaj Bosnjës. Ai u zëvendësua pas pjesës së parë të ndeshjes. /Insajderi.com