Deçiq Tuzi barazon ndaj Buduçnostit

Deçiq Tuzi barazon ndaj Buduçnostit

Skuadra shqiptare që bënë gara në Ligën e Parë të futbollit në Mal të Zi, Deçiqi nga Tuzi, në kuadër të gjiros së 10, ka barazuar si mysafirë në Podgoricë kundër ekipit të Buduçnost, njofton Insajderi.

Ndeshja e zhvilluar në “Stadiumin e Qytetit”, u mbyll me rezultat të barabartë 2:2.

Vendasit e Buduçnost shënuan dy herë radhazi me Cukovic (11’) dhe Bojovic (16’), duke krijuar epërsi prej dy golash, por nuk arritën ta mbanin deri në fund, ngase në skenë doli Ilir Camaj duke shënuar dopietë në këtë takim.

Së pari Camaj shënoi në minutën e 27’ të ndeshjes, duke çuar skuadrat në dhomat e zhveshjes me rezultat 2:1 për vendasit, ndërsa në pjesën e dytë, shënoi përsëri Camaj për Deçiqin, duke barazuar rezultatin në minutën e 69’ të takimit. Me rezultat 2:2 u mbyll ndeshja në Podgoricë.

Kështu, pas kësaj pike të fituar, Deçiq ndodhet në pozitën e dytë në tabelë me 18 pikë të mbledhura.

Duhet theksuar se ekipi shqiptar Deçiq, ka mbrojtjen më të mirë dhe sulmin më të mirë në elitën e futbollit malazez, me 16 gola të shënuar dhe vetëm gjashtë të pësuar. /Insajderi.com