Ekipi i vetëm shqiptar që militon në elitën e futbollit në Mal të Zi, Deçiqi nga Tuzi, ka barazuar në shtëpi me Iskrën, duke luajtur pa gola, në ndeshjen e vlefshme për javën e 29-të kampionale, njofton Insajderi.
Që nga fillimi i takimit, nikoqirët krijuan më shumë dhe kishin më shumë nga loja, duke rrezikuar disa herë miqtë, por pa arritur të gjenin rrugën drejt portës kundërshtare, pasi mysafirët kishin mbyllur mirë prapavijën e tyre, repartin e mbrojtjes.
Në pjesën e dytë, më saktë në minutën e 82-të të ndeshjes, mysafirët mbetën me 10 lojtarë në fushë, pasi Boricic u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.
Në fund, ndeshja u mbyll me rezultat të bardhë, ku më shumë të kënaqur nga ky takim dolën mysafirët, pasi fituan një pikë me vlera nga kjo transfertë e vështirë.
Deçiqi, pas kësaj pike, ngjitet në vendin e dytë në ligë me 46 pikë, aq sa ka Sutjeska e vendit të tretë. Ligën në Mal të Zi e kryeson Buduçnosti me 72 pikë.
Ndeshjen e ardhshme, ekipi nga Tuzi e zhvillon më 17 prill si mysafir te Jezero. /Insajderi.com