Deçiqi barazon ndeshjen e fundit kampionale me Petrovacin

Deçiqi barazon ndeshjen e fundit kampionale me Petrovacin

Skuadra e vetme shqiptare që militon në elitën e futbollit në Mal të Zi, Deçiqi nga Tuzi, në ndeshjen e fundit kampionale, është ndalur në një barazim 1:1 në shtëpi nga ekipi i Petrovacit, njofton Insajderi.

Të parët krijuan epërsinë nikoqirët nga Tuzi me golin e Danilo Pesukiç, i cili realizoi në minutën e 32-të të takimit. Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll me epërsinë minimale të vendasve.

Në pjesën e dytë, më saktë në minutën e 50-të, mysafirët barazuan rezultatin me anë të Basic, rezultat që qëndroi deri në mbyllje të takimit. Deri në fund, Deçiqi u mundua të rikthente epërsinë, mirëpo miqtë kishin mbyllur mirë prapavijën.

Me këtë barazim, ekipi bardhekaltër nga Tuzi mbyll kampionatin në vendin e tretë në kuotën e 54 pikëve, gjithashtu duke pasur mbrojtjen më të fortë në ligë, ku pas 36 xhirosh ka pësuar vetëm 28 gola.

Përveç suksesit në ligë, Deçiqi ndodhet në finalen e Kupës, pasi të dielën (30 maj) do ta luajë finalen me Buduçnostin, kështu ekipi shqiptar ka siguruar garat europiane, një sukses i jashtëzakonshëm ky, pasi këtë vit është inkuadruar në Ligën e Parë të futbollit në vendin fqinjë. /Insjderi.com