Ekipi i vetëm shqiptar që militon në elitën e futbollit në Mal të Zi, Deçiqi nga Tuzi, është ndalur në një barazim 0:0 si mysafire e Rudarit, në sfidën e vlefshme për javën e 32-të kampionale, njofton Insajderi.
Që nga fillimi, ndeshja u karakterizua me ndërhyrje të ashpra dhe me një brutalitet, ku vendasit u ndëshkuan me tre kartonë të verdhë, ndërsa mysafirët u ndëshkuan me tre të verdhë dhe një të kuq.
Ndeshja ishte e dominuar nga miqtë e Tuzit, por deri në fund nuk arritën të shënonin gol në mbrojtjen e ngjeshur të Rudarit.
Në fund, të dyja ekipet u ndanë me nga një pikë, ku më të kënaqurit ishin vendasit pasi largohen nga zona e rrezikshme me katër pikë, ndërsa e njëjta gjë nuk mund të thuhet për Deçiqin, pasi ekipi nga Tuzi ndodhet në pozitën që dërgon në garat europiane.
Me këtë barazim, Deçiqi zbret në vendin e tretë në ligë me 50 pikë, një më pak se Sutjeska e vendit të dytë, që aktualisht po fiton te Zeta. /Insajderi.com