Deçiqi nga Tuzi fiton përsëri, kësaj radhe ndaj Iskra

Deçiqi nga Tuzi fiton përsëri, kësaj radhe ndaj Iskra

Skuadra shqiptare që bënë gara në elitën e futbollit malazez, Deçiqi nga Tuzi, ka shënuar fitoren e radhës në ligë. Në javën e 11 të ligës së parë malazeze, kësaj radhe viktimë e Deçiqit ishte skuadra Iskra, njofton Insajderi.

Sa i përket takimit, skuadra shqiptare ishte dukshëm më e mirë se vizitorët e Iskra, e cila asnjëherë nuk ishte në nivelin e nikoqirëve.

Në minutën e 40’ të takimit, Kristijan Vulaj, pasi arriti me mjeshtëri të driblonte portierin mysafir, nuk e kishte të vështirë të realizonte në portën e zbrazët, për epërsinë e parë në këtë takim për Deçiq. Me rezultat 1:0 për vendasit u mbyll pjesa e parë.

Në pjesën e dytë, edhe pse gjatë tërë kësaj pjese, vendasit kërkuan golin e sigurisë, ky gol erdhi vetëm në minutat shtesë të takimit. Pas një aksioni në zonën kundërshtare, u pengua në mënyrë të pa lejuar Prenkoçaj, ku gjyqtari kryesor nuk hezitoi të tregonte në pikën e bardhë. Ndërsa nga pika e bardhë, i pagabueshëm ishte Roloviç, duke realizuar për shifrat përfundimtare, Deçiq 2:0 Iskra.

Me këto tre pikë, skuadra shqiptare ka mbledhur 21 pikë dhe ndodhet në vendin e dytë në tabelë, një më pak se Buduqnosti. /Insajderi.com