
Legjenda e Juventuesit, Del Piero, beson tek ish-bashkëlojtari i tij, Andrea Pirlo, i cili ka marrë timonin për drejtimin e Juventuesit në sezonin e ardhshëm.
Juventuesi ka shkarkuar trajnerin Italian, Maurizio Sharri, pas dështimit në Ligën e Kampioneve – zonja e vjetër u eleminua nga klubi francez, Lyon, në 1/8 e finales.
Pirlo nuk ka ndonjë përvojë shumë të gjatë si trajner, ai tashmë së fundi ka drejtuar një kategori më të ulët të Juventuesit që garon në Serie C, njofton Insajderi.
Legjenda e Bianconerëve dhe e Italisë, Del Piero, fillimisht tha se ka qenë befasi emërimi i tij si trajner, por që beson në të dhe i uron fat.
“Për të qenë i sinqertë, nuk do të kisha bërë bast që ai do të bëhej trajner. Është një befasi edhe për mua. Isha i kënaqur që ai mori rolin e ekipit U-23 dhe mendova se ishte lëvizja e duhur për të, por ai u largua shpejt, kështu që unë mund t’i uroj vetëm fat”, tha Del Piero për Sky sport Italia.
Më tutje ai ka shtuar se perceptimi për t’u bërë trajner po ndryshohet me kalimin e kohës.
“Unë mendoj se perceptimi i përgjithshëm i ish-lojtarëve që bëhen trajner po ndryshon në Itali. Më parë, kishte nevojë për të kaluar një proces të gjatë në ligat e ulëta për të mësuar punën, por vitet e fundit kemi parë Filippo dhe Simone Inzaghin të kenë sukses, plus Gennaro Gattuso. Ata ishin lojtar të shkëlqyeshëm dhe filluan menjëherë me skuadra të shkëlqyera”, deklaroi ai. /Insajderi.com/