Dënohet plaçkitësi i stolive të çmueshme mbretërore

Suedezi i cili vitin e kaluar i ka vjedhur stolitë e çmueshme mbretërore nga katedralja Srangnas në afërsi të Stokholmit, sot u dënua me burgim prej katër vjet e gjysmë.

Dënohet plaçkitësi i stolive të çmueshme mbretërore

Gjykata sot e ka shpallur fajtor 22 vjeçarin Johan Niclas Backstrom, i cili në korrik të vitit të kaluar ka vjedhur dy kurora dhe një shar (sferë e artë me kryq) nga shekulli i 17 e të cilët janë vlerësuar rreth 6,1 milionë euro, transmeton AP.

Kjo plaçkitje i ka mbushur gazetat verën e kaluar për shkak të mënyrës spektakolare me të cilën është kryer. Dy hajna janë parë se si po ikin nga katedralja me biçikleta të vjedhura, e pastaj kanë kërcyer në një barkë dhe janë zhdukur në rrjetin e liqeneve në perëndim të Stokholmit.

Backstrom e ka pranuar krimin ditën e fundit të gjykimit, pasi ADN-ja e tij u gjet nëpër stoli. Ai ka deklaruar se ishte prerë me rastin e thyerjes së xhamit të vitrinës në të cilën janë ruajtur simbolet mbretërore.

Në gjykim është zbuluar se kurora mbretërore ishte dëmtuar dhe se disa gurë të çmueshëm kishin rënë. AP përkujton se gjësendet e plaçkitura janë gjetur në një kazan për plehra në një paralagje të Stokholmit. Backstrom ka refuzuar të tregojë se a ka pasur bashkëkryerës, ndërsa dy persona të moshës 22 dhe 26 vjeç gjenden në paraburgim nën akuzë për plaçkitje./Insajderi.com.