
Surpriza në kampionatin francez të futbollit. Skuadra e Lille ia doli të triumfojë minimalisht 0-1 në kryendeshjen e javës ndaj PSG-së dhe u shkëput e vetme në krye me 66 pikë të grumbulluara, tre pikë më shumë se kampionët në fuqi të parisienëve, njofton Insajderi.
Një gol i kanadezit Jonathan David në minutën e 20-të vendosi fatin e përballjes në “Parc des Princes”.
Në këtë përballje u rikthye nga dëmtimi edhe braziliani Neymar, që luajti me fanellën e PSG-së pas thuajse dy muajsh, por nuk e përfundoi takimin, pasi u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 89-të dhe la të tijtë me 10 lojtarë.
Brazilianin e tradhtuan nervat në fundin e ndeshjes, teksa shtyu kundërshtarin, duke u ndëshkuar me kartonin e dytë të verdhë.
Neymar nuk ishte futbollisti i vetëm i ndëshkuar me karton të kuq, pasi në të njëjtën minutë me brazilianin u përjashtua dhe futbollisti i Lille, Djalo. /Insajderi.com