Duke vënë në dukje se vetëm brenda muajit shtator janë kryer mbi 1200 transferime refugjatësh, më shumë se në çdo muaj paraardhës, komisioneri Europian për Emigracionin, Dhimitris Avramopoulos ka deklaruar se jo vetëm në Greqi, por edhe në shumë vende të BE-së është shënuar së fundmi një progres në menaxhimin e krizës se refugjatëve.
Sistemi i aprovimit ose jo të kërkesave për azil po mirëfunksionon, ka thënë ai duke theksuar se 4455 refugjatë janë transferuar tashmë nga Greqia drejt vendeve të BE-së dhe 1196 nga Italia, ndërsa deri në fund të 2017 pritet të transferohen mbi 30 mijë refugjatë që ndodhen në Greqi.
Avramopoulos ka shtuar gjithashtu se Komisioni Europian duhet të fillojë gradualisht dhe sipas rasteve të veçanta kthimin e refugjatëve që nuk përfitojnë azil nga vendet e Europës drejt Greqisë e më pas riatdhesimin e tyre, pasi do të shkaktojë pasoja negative në të gjithë këtë proces.
Deklaratat nga Komisioni Europian vijnë në një moment kur në disa kampe refugjatësh në Greqi, sidomos në ishujt e Detit Egje, ka tensione për arsye të mbipopullimit, mungesës së kontrollit dhe kushteve të vështira. Në kampin e Morias të ishullit të Lesbosit, ku javën e kaluar në konfrontime midis refugjatëve të kombësive të ndryshme, u dogjën dhjetra çadra, katër pakistanezë të moshës 17 vjeç janë arrestuar pasi kanë përdhunuar një bashkëkombas të tyre 16 vjeç, duke regjistruar madje dhe veprimet e tyre me telefon celular.