Klubi nga Superliga e Kosovës në futboll, Trepça ’89 i ka befasuar të gjithë ditën e sotme, teksa ka prezantuar mbrojtësin e djathtë belg, Luis Pedro Cavanda, njofton Insajderi.
Ky i fundit ka pasur një karrierë të shkëlqyer futbollistike, teksa ka luajtur për skuadra të njohura europiane, si Lazio, Torinon dhe Barin në Itali, me Galatasaray dhe Trabzonspor në Turqi, dhe më Standart Liege në Belgjikë, ku ishte deri në fund të sezonit të kaluar.
Gjithashtu Cavanda numëron edhe dy ndeshje me fanellën e kombëtares së Belgjikës. Një goditje e madhe kjo për klubin kosovar, që afron një lojtar me karrierë të pasur futbollistike.
30 vjeçari ishte pa skuadër nga fundi i sezonit të kaluar dhe tashmë ka vendosur të vazhdojë karrierën me skuadrën nga Mitrovica.
Për sa i përket statistikave, mbrojtësi ka luajtur 53 ndeshje në Serie A, ku ka shënuar një gol dhe gjatë gjithë karrierë së tij, ka shënuar gjashtë gola dhe ka dhënë 10 asiste, në 249 ndeshje të zhvilluara. /Insajderi.com