Distria Krasniqi e para në botë

Distria Krasniqi e para në botë

Federata Ndërkombëtare e Xhudos, ka publikuar të hënën renditjen më të re olimpike, e fundit pas garës së Grand Slamit të mbajtur në tri ditët e fundit në Budapest të Hungarisë, ku pas sukseseve, xhudistët kosovarë kanë shënuar ngritje.

Xhudstja nga Kosova, Distria Krasniqi, ka shënuar ngritjen më të madhe, pasi ajo ka dal e para në kategorinë deri në 48 kilogramë, pas medaljes së artë të fituar të premten. Krasniqi mori 1 mijë pikë të reja, duke e çuar në 6765 numrin e pikëve në total, me të cilat la prapa dy herë kampionen e botës, Daria Bilodid.

Pas Distria Krasniqit edhe Loriana Kuka, që fitoi medaljen e bronztë, ka shënuar ngritje, duke dalë e 13-ta me 3463 pikë në kategorinë -78 kilogramë.

Edhe në konkurrencën e meshkujve, Akil Gjakova, është i 10-ti në kategorinë -73 kilogramë, duke tubuar gjithsej 3447 pikë.

Xhudistja më e suksesshme kosovare, Majlinda Kelmendi, nuk mori pjesë në Grand Slamin e Budapestit dhe radhitet e pesta me 4152 pikë në kategorinë -52 kg. Të pesë xhudistët ndodhen brenda normës olimpike Tokio 2020.

Xhudistja Laura Fazliu, e cila po e kërkon normën Olimpike, me pikët e fituara në Grand Slam, është ngritur për tetë vende, duke kaluar në pozitën e 55-të. Për të fituar normën Olimpike, asaj i duhet të jetë diku në mesin e 30 xhudistëve në renditjen olimpike.

Gara e ardhshme për ekipin olimpik është kampionati evropian, që mbahet prej 19-21 nëntor në Pragë të Çekisë./Insajderi.com.