Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do t’i drejtohet parlamentit australian me video të enjten, tha Ministri i Punësimit i Australisë, Stuart Robert.
“Ukraina po tregon guxim dhe elasticitet të jashtëzakonshëm teksa duron luftën e paprovokuar të Rusisë”, shtoi ai, raporton BBC.
Australia ka furnizuar Ukrainën me ndihma urgjente humanitare me vlerë 65 milionë dollarë. Ajo ka premtuar gjithashtu pajisje mbrojtëse me vlerë 91 milion dollarë, duke thënë se “është e qartë se nevoja e Ukrainës për ndihmë ushtarake mbetet urgjente dhe e vazhdueshme”.
Zelensky ka qenë duke iu drejtuar tubimeve të brendshme dhe ndërkombëtare të liderëve politikë, nga OKB-ja dhe Kongresi i SHBA deri te parlamenti japonez.
Fjalimet e tij, të cilat shpesh kanë përfunduar me ovacione për të, janë përshkruar si një “luftë informative” për të mbledhur mbështetje për Ukrainën në Perëndim dhe gjetkë.
“Ai di se si të mishërojë frymën e kombit – jo vetëm në të folur, por edhe në mënyrën se si ai shfaqet, në sfondin e tij, ku flet,” tha një ekspert për BBC së fundmi./Insajderi.com