Nuk ka më dyshime, Donnarumma do të largohet nga skuadra e Milanit, njofton Insajderi.
Lajmin e bëri të ditur vetë drejtori teknik i kuqezinjve, Paolo Maldini, i cili në një intervistë për kanalin “Twitch Milan”, i dha lamtumirën Donnarummës duke i uruar fat në vazhdim.
“Unë mendoj se duhet të falënderojmë të gjithë lojtarët që kanë bërë një sezon të pabesueshëm. Xhixhi ka qenë një udhëheqës dhe shpesh një kapiten”, tha fillimisht Maldini.
“Njerëzit e kanë të vështirë të kuptojnë se çfarë do të thotë të jesh një profesionist, i cili duhet të jetë i gatshëm të ndryshojë fanellën. Është e vështirë të pranohet dhe është gjithnjë më e vështirë të bësh karrierë. Duhet të kemi respekt për ata që i kanë dhënë aq shumë Milanit, të cilëve nuk u ka munguar kurrë respekti për ne. Rrugët janë të ndara, unë i uroj më të mirën”, ishin në fund fjalët e legjendës “rosonere”. /Insajderi.com