Donnarumma zëvendësues i Buffonit tek Juventusi

Donnarumma zëvendësues i Buffonit tek Juventusi

Në Spanjë janë të bindur; e ardhmja e Gigio Donnarummas është tek Reali i Madridit, por mediat sportive italiane raportojnë se Juventusi është vënë në lëvizje fill pas refuzimit të rinovimit të kontratës me Milanin nga ana e portierit 18-vjeçar.

Gazzetta Dello Sport shkruan se pak pas këtij lajmi ka pasur një takim mes drejtorit sportiv të Juventusit, Beppe Marotta dhe Mino Raiolas, agjentit të Donnarummas.

Zyrtarisht u tha se në këtë takim është diskutuar në lidhje me kontratën e Moise Kean, një tjetër talent nën tutelën e Raiolas dhe pjesë e bardhezinjëve, por zërat se në këtë takim është folur edhe për portierin e Milanit i shtoi fakti që Juventusi ka pezulluar thuajse në të njëjtën orë negociatat me Arsenalin për portierin Szczesny.

Transferta në këtë fazë duket e pamundur, për faktin që nëse do të mbërrinte në Torino, Donnarumma nuk do ta kishte të sigurt vendin e titullarit, pasi Buffon ka edhe një tjetër vit kontratë me bardhezinjtë.

Donnarumma cilësohet si pasaardhësi i kapitenit të Juventusit tek Italia dhe për këtë ka marrë edhe vetë bekimin e “Buffon”, por nëse tek Italia do të zëvendësojë atë kokë për kokë, mbetet për t’u parë gjatë kësaj merkatoje nëse do të bëjë të njëjtën gjë edhe tek bardhezinjtë.