Dopingu në Brazil, hije dyshimi mbi Roberto Carlos

Dopingu në Brazil, hije dyshimi mbi Roberto Carlos

Roberto Carlos përfshihet në një spirale thashethemesh që mund të eklipsojë arritjet e tij në të shkuarën. Mbrojtësi brazilian përmendet në një dokumentar gjerman që thekson se gjatë Botërorit 2002 ku Brazili u shpall kampion, ai ka marrë substanca të ndaluara.

Gjatë një investigimi të kryer nga gazetari Hajo Seppelt, zbulohet se substanca EPO e rekomanduar nga mjeku Julio Cesar Alves, është marrë nga shumë sportistë brazilianë përfshirë këtu edhe mbrojtësin e krahut gjatë botërorit që u zhvillua në Japoni dhe në Korenë e Jugut.

Një nga dëshmitë më tronditëse është ajo e atletes, Eliane Pereira, e cila e pranon se ka nisur të marrë substanca të ndaluara që në moshën 17 vjeçare, ndërsa kreu i agjencisë antidoping, Marco Aurelio Klein, shton se dosja e doktorit Alves i është dorëzuar prokurorisë që në vitin 2015.

Sipas raportimit, Roberto Carlos është takuar me doktorin vetëm pak javë përpara nisjes së Botërorit, madje në bisedat konfidenciale, ai e ka pranuar se e ka ndihmuar mbrojtësin Roberto Carlos që në moshën 15-vjeçare kur ishte ende një fëmijë jo shumë i zhvilluar fizikisht.

“Jam unë njeriu që e ka ndihmuar Roberto Carlos të bëhet ai lojtar që është sot”, tha disa vite më parë doktori edhe pse ky konfirmim nuk është një provë zyrtare në dosjen voluminoze, njofton supersport.

Televizioni gjerman ARD tashmë është në pritje të reagimit të ish mbrojtësit, i cili nuk ka pranuar të flasë për momentin. Dokumentari i teevizionit gjerman nuk do të kufizohet vetëm në hetimin e rasteve në Brazil pasi gjatë muajve të ardhshëm do të propozojë fakte edhe rreth dopingut në futbollin europian dhe në çiklizëm.