Dosja “ARGO” – Kështu i liroi CIA pengjet në Teheran

Dosja “ARGO” – Kështu i liroi CIA pengjet në Teheran

CIA ishte në kaos kur Tony Mendez erdhi e u ul në vendin e tij të punës mëngjesin tjetër. Njerëz rendnin nëpër korridore, me dosje dhe dokumenta në duar. Tryezat po mbusheshin me kabllogramë “të shpejtë” – mesazhet me prioritet më të lartë, që rezervoheshin vetëm për situata lufte

4 Nëntori 1979 nisi si çdo ditë tjetër në Ambasadën e SHBA në Teheran. Stafi u fut brenda në orarin e zakonshëm, ndërkohë që marinsat zunë vendet e tyre në pozicione. Turma e përditshme e protestuesve antiamerikanë u mblodh jashtë dyerve të ambasadës duke thirrur “Allahu akbar! Marg bar Amrika!”

Mark dhe Cora Lijek, një cift i ri në moshë që e kishin për herë të parë që punonin në shërbimin e jashtëm, i dinin sloganët – “Zoti është i Madh! Vdekje Amerikës!” – dhe ishin mësuar ta injoronin poteren jashtë dhe të vazhdonin punët e përditshme. Por sot, protesta tingëllonte më e zhurmshme se zakonisht. Dhe kur disa prej punonjësve vendas erdhën dhe thanë se “kishte një problem tek porta”, ata e kuptuan menjëherë se ky mëngjes do të ishte ndryshe. Studentë militantë, pas vetëm pak çastesh po i ngjiteshin shkallëve të kompleksit të ambasadës.

Dikush hapi me forcë portën ballore, dhe rrymëza me njerëz që kishin mundur të depërtonin u shndërrua shumë shpejt në një “përmbytje”. Turma u përhap me shpejtësi nëpër kompleks, duke tundur në ajër postera të Ajatollahut Khomeini. Ata pushtuan rezidencën e ambasadorit, më pas u nisën drejt arkivit, fortesa e ambasadës ku ishte vendosur pjesa më e madhe e stafit.

Në fillim, Lijeks-i shpresoi se ndërtesa e konsullatës ku ata ndodheshin nuk do të vihej re. Për shkak të riparimeve të kryer kohët e fundit, kati përdhes ishte pothuajse bosh. Ndoshta askush nuk do të dyshonte që 12 amerikanë, disa punonjës iranianë si dhe ata që aplikonin për viza ndodheshin në katin e sipërm. Grupi përfshinte konsullin Joseph Stafford, asistenten dhe bashkëshorten e tij, Kathleen dhe Robert Anders, një zyrtar i lartë në departamentin e vizave.

Ata u përpoqën të ruajnë qetësinë, madje edhe të vazhdojnë punën. Por, pas pak u ndërpre energjia elektrike dhe paniku nisi të përhapej me shpejtësi në ndërtesë. Punonjësit iranianë, që e njihnin mirë prirjen e forcave revolucionare iraniane për të shtënë, u bënë gati për më të keqen. “Dikush ka hipur mbi cati”, tha një punonjëse iraniane, duke u dridhur. Një tjetër nuhati tym. Njerëzit nisën të qajnë në errësirë, të bindur se militantët do t’i vinin flakën ndërtesës. Jashtë, të thirrurat e turmës fitimtare u bënë më të forta. Tek-tuk, dëgjoheshin të shtëna. Ishte koha për të ikur.

Amerikanët shkatërruan lastrat që përdoreshin për të bërë vulat e vizave, organizuan një plan evakuimi dhe u kërkuan të gjithëve të shkonin tek dera e pasme. “Do të largohemi në grupe prej pesë apo gjashtë vetësh”, tha kryemarinsi që ndodhej atë ditë në detyrë. “Në fillim vendasit. Pastaj ciftet e martuar. Më tej, pjesa tjetër”. Ndërtesa e konsullatës ishte e vetmja strukturë në kompleks me dalje në rrugë. Qëllimi ishte të arrihej deri në ambasadën britanike, e cila ndodhej gjashtë blloqe banimi më tutje.

Binte një shi i dendur kur ata hapën dyert e rënda prej celiku. Rruga ishte e boshatisur. Një grup u nis drejt veriut, por pak caste më vonë u kap dhe u detyrua të kthehet mbrapsht në ambasadë, nën kërcënimin e tytave të armëve.

Duke ecur drejt perëndimit, Stafford-ët, Lijeks-ët, Ander-sët dhe disa iranianë arritën të mos pikaseshin. Pothuajse kishin mbërritur në ambasadën britanike kur ndeshën në një tjetër demonstratë. Një vendas që ish pjesë e grupit të tyre u dha një këshillë të atypëratyshme – “mos shkoni andej” – dhe pastaj u zhduk brenda turmës.

Grupi u shmang duke bërë disa zig zage drejt apartamentit të Anders-ëve që ndodhej aty pranë, duke kaluar madje një moment shumë pranë zyrave që përdoreshin nga komiteh, bandat e armatosura të revolucionarëve që kontrollonin një pjesë të madhe të Teheranit.

Mbyllën derën me kyc dhe ndezën radion e Anders-ëve, një pajisje standarte që mund të lidhej me rrjetin e radiondërlidhjes të ambasadës. Marinsat thërrisnin si të marrë, në përpjekje për t’u koordinuar me njëri-tjetrin. Dikush që identifikohej me emrin e koduar “Palm Tree thoshte se “shumë pushkë dhe armë janë duke u futur në kompleks”.

Ky ishte Henry Lee Schatz, një atashe i bujqësisë që po e shihte skenën nga zyra e katit të gjashtë në ndërtesën përballë kompleksit të ambasadës. “Po i shkarkojnë nga kamionët”.

Kishte nisur kriza e pengjeve në Iran. Ajo do të zgjaste 444 ditë, do të trondiste vetëbesimin e Amerikës, si dhe do të fundoste një herë e mirë fushatën e rizgjedhjes së presidentit Jimmy Carter. Amerikanëve nuk do u ndaheshin nga sytë fytyra e ngrysur e Khomeinit, si dhe militantët e armatosur islamikë që parakalonin pengjet me sytë lidhur nëpër lajmet e natës, si dhe kërcënonin me gjyqe për “spiunët” që kishin kapur.

Të gjithë kujtojnë 52 amerikanët e zënë brenda ambasadës dhe përpjekjen e dështuar për shpëtimin e tyre disa muaj më vonë, e cila përfundoi me rrëzimin e një helikopteri amerikan në shkretëtirën iraniane. Por jo shumë vetë i njohin detajet, që kanë qenë të klasifikuar për një kohë të gjatë, të angazhimit të CIA-s në arratisjen e grupit tjetër, i cili kishte ngecur në një qytet armiqësor nën kthetrat e revolucionit.

Deri në orën 3 të pas drekës së asaj dite, 5 personat e strehuar në apartamentin me një dhomë të Anders-ëve e kishin kuptuar tashmë se ishin në një telash të madh. Ndërkohë që militantët merrnin kontrollin, kishte gjithnjë e më pak anglishtfolës në rrjetin e radiondërlidhjes.

Emri i koduar “Palm Tree” kishte ikur. Pasi të fundmit në ndërtesën e arkivit informuan në radio se po dorëzoheshin, të vetmit zëra që dëgjoheshin tani prej kutisë së radios flisnin gjuhën Farsi. Ambasada ishte humbur. Të arratisurit ishin vetëm.

CIA ishte në kaos kur Tony Mendez erdhi e u ul në vendin e tij të punës mëngjesin tjetër. Njerëz rendnin nëpër korridore, me dosje dhe dokument në duar. Tryezat po mbusheshin me kabllogramë “të shpejtë” – mesazhet me prioritet më të lartë, që rezervoheshin vetëm për situata lufte.

Mendez-i, 38 vjec, kishte qenë në agjenci gjatë Luftës së Vietnamit. Por situata sot dukej më e rëndë. Të paktën atëherë SHBA e kishte një tjetër qeveri me të cilën të bisedonte. Në Iran, Ajatolahu Khomeini dhe Këshilli Revolucionar refuzonin të negocionin. Pa kanale të hapur diplomatikë, pjesa më e madhe e infrastrukturës së informacionit të CIA në Teheran ishte shkatërruar. Si ish kreu i Sektorit të Maskimit dhe kreu aktual i Divizionit të Grafikës dhe Verifikimit në CIA, Mendez-i mbikëqyrte operacionet logjistikë që kryente CIA, me dhjetëra mijëra identiteteve falsë. Ai e dinte se kishte vetëm tre agjentë të terrenit në Iran dhe të gjithë ata ishin pengje në ambasadë.

Në fillim, Mendez-i mendoi se detyra e tij ishte të lironte pengjet. Filloi të përgatisë agjentë për të penetruar në Iran, dhe 90 orët e ardhshme i kaloi pa bërë pushim duke përgatitur një plan të quajtur “Operacioni Truproja”, sipas të cilit një kufomë, sozi e Shahut të Iranit do të përdorej për të siguruar lirimin e pengjeve. Ishte një plan i mrekullueshëm, mendoi. Por Shtëpia e Bardhë e hodhi poshtë.

Disa javë pas pushtimit të ambasadës, Mendez-i mori një Memorandum me shenjën sekret mbi të, nga Departamenti i Shtetit. Lajmi ishte befasues: Jo të gjithë ata që ndodheshin brenda ambasadës ishin kapur. Disa kishin mundur të largoheshin dhe qëndronin fshehur diku në Teheran. Vetëm një grusht zyrtarësh i dinin detajet, sepse këshilltarët e Carter-it dhe Departamenti i Shtetit nuk donin që ta merrnin vesh iranianët.

Mendez-i kishte kaluar 14 vite në Zyrën e Shërbimit Teknik të CIA-s – ajo pjesë e agjencisë së spiunazhit, që është bërë e njohur për planet për vendosjen e eksplozivëve brenda purove të Fidel Castro-s, apo ata për vendosjen e mikrofonëve brenda trupit të maceve për të përgjuar. Specialiteti i tij ishte përdorimi i “transformimit të identitetit” për të nxjerrë njerëzit nga situata të vështira.

Një herë ai kishte transformuar një oficer me ngjyrë të CIA-s sio dhe një diplomat aziatik në biznesmenë kaukazianë, me qëllim që ata të siguronin një takim në kryeqytetin e Laosit, një vend ku mbizotëronte gjendja e jashtëzakonshme. Kur një inxhinier rus duhej të dorëzonte kuti me filma që përmbanin detaje shumë sensitivë mbi avionin e ri super-MiG, Mendezi ndihmoi agjentët e CIA që të hiqnin qafe spiunët e KGB. Një oficer do të priste për një moment pështjellimi që të dilte tinëz nga makina.

Sapo ai të dilte, një manekin me sustë do të ngrihej menjëherë për të krijuar përshtypjen se ai ndodhej ende në sediljen e pasagjerit. Mendez-i kishte shpëtuar qindra agjentë që të shpëtonin pa u vënë re.

Për oepracionin në Teheran, strategjia e tij ishte e drejtpërdrejtë: Amerikanët do të pajiseshin me identitete falsë, do të dilnin menjëherë përmes Aeroportit Mehrabad dhe do të hipnin në një avion. Sigurisht, që ky plan të funksiononte, dikush duhej të futej ë Iran, të lidhej me të arratisurit t’u jepte pasaportat false dhe t’i udhëhiqte drejt daljes, nëpër aparatin iranian të sigurisë. Dhe ky “dikushi” ishte ai vetë.

Ndërkohë në Teheran, të larguarit nga ambasada ishin tashmë në shënjestër. Ata nuk mund të dilnin vetëm, pasi do të pikaseshin në rrugë dhe me siguri do të merreshin në pyetje në aeroport. Nëse paraqisnin pasaporta diplomatike, do i kthenin me nxitim në ambasadë dhe aty do të merreshin në pyetje me armët te koka, bashkë me “spiunët” e tjerë.

Gjatë ditëve të para, ata transferoheshin fshehtas në vende të ndryshëm, përfshirë shtëpitë e boshatisura të atyre që ishin tashmë pengje në ambasadë. Shpesh herë flinin sic ishin, me rroba, në rast se u duhej të largoheshin me shpejtësi. Përdorimi i një telefoni ishte me rrezik: imamët përgjonin tashmë nëpërmjet rrjetit të madh te përgjimeve që shahu kish përdorur dikur për të shtypur kundërshtarët. Një moment, Anders i telefonoi John Sheardoën-it, një miku i tij në ambasadën kanadeze. “Përse nuk telefonuar më parë”, iu përgjigj Sheardoën-i. “Sigurisht që mund të vini”.

Për të minimizuar rrezikun, grupi ishte shpërndarë mes shtëpisë së Sheardoën-it, dhe rezidencës zyrtare të ambasadorit kanadez, Ken Taylor. Të dy shtëpitë ndodheshin në lagjen Shemiran në veri të Teheranit.

Dinastia Kajar kishte varrosur mbretërit e saj këtu, në kodrinat rrëzë maleve Elburz, dhe tani kjo lagje goxha në modë ishte e banuar nga tregtarë, diplomatë, nëpunës civilë të pasur – si dhe disa refugjatë diplomatikë në fshehje: të pestët nga konsullata dhe Henry Lee Schatz-i, personi që fliste në radio me emrin e koduar “Palm Tree”. Ai ishte fshehur në një rezidencë diplomatike suedeze për disa javë, përpara se të shkonte në shtëpinë e Sheardoën-ëve.

Vendstrehimi ishte në kushte luksi. Kishte libra, gazeta në anglisht dhe shumë birrë, verë dhe uiski. Por mysafirët nuk mund të largoheshin asnjëherë nga banesa. Me kalimin e javëve, u krijua një rutinë e qetë. Ata gatuanin për darkat e bollshme, lexonin dhe luanin me letra. Shqetësimi më i madh i cdo dite ishte si të bënin bashkë skuadrat për të luajtur “bridge” – dhe nëse do të kapeshin dhe ndoshta ekzekutoheshin.

Teksa koha kalonte, rreziku i zbulimit sa vinte e rritej. Militantët kishin krehur të dhënat e ambasadës dhe kishin zbuluar se cilët i përkisnin CIA-s. Ata kishin punësuar madje edhe skuadra tapetpunuesish që do të jepnin një dorë për të ngjitur dokumentat e grisur. (Dokumentat e gjetur do të botoheshin më pas nga qeveria iraniane në një seri librash me titull “Dokumenta nga strofulla amerikane e spiunazhit).

Ata mund të mësonin me kalimin e kohës numrin e vërtetë të stafit të ambasadës, të numëronin, dhe të kuptonin se disa mungonin. Jashtë, Garda Revolucionare ishte shfaqur disa herë në Shemiran, duke u hakërryer në rrugët ku jetonin të huajt dhe duke iu afruar shumë të dy vendstrehimeve.

Një herë, amerikanëve iu desh të largoheshin nga dritaret, kur një helikopter ushtarak i erdhi rrotull shtëpisë së Sheardoën-ëve. Dhe të gjithë u trembën kur një telefonues anonim në rezidencën e Taylor-it kërkoi të fliste me Jope dhe Kathy Stafford, dhe më pas e uli receptorin.

Qeveritë e SHBA dhe Kanadasë ishin edhe ato nervoze. Informacionet për të arratisurit nga ambasada kishin rrjedhur dhe shumë gazetarë ishin në prag të nxjerrjes së lajmit. Edhe teksa CIA punonte për të liruar të gjashtët, u shfaqën një seri planesh shpëtimi, që përfshinin kryesisht hyrjen nëpërmjet kufirit apo kontrabandistët.

CIA zhvilloi bisedime me Ross Perot, i cili sapo kishte nxjerrë në fshehtësi dy prej punonjësve të tij të “Electronic Data Systems” nga qelitë në Teheran. Gjatë një takimi të NATO-s në dhjetor, Flora MacDonald, ministrja e jashtme kanadeze i tha Sekretarit amerikan të Shtetit, Cyrus Vance, që të gjashtë amerikanët duhej të nxirreshin nga kufiri turk – qoftë edhe me bicikleta.

Amerikanët e ndjenë që rreziku sa vinte e rritej. Në 10 janar 1980 – pothuajse nëntë javë pas ngjarjes në ambasadë – Mark Lijeku dhe Andersi hartuan një kabllogram për Ken Taylorin, që ta dërgonte në Uashington në emër të tyre. Më vonë, Marku e përblodhi kështu përmbajtjen e tij: “Ne duhet të dalim patjetër prej këtu”.

Historitë e mbuluara të CIA-s zakonisht projektohen që të jenë sa më të zakonshme dhe të mos tërheqin vëmendje. Pikërisht kështu nisi edhe plani i Mendezit. Ai do të përdorte dokumenta kanadezë për amerikanët, për shkak të gjuhës së përbashkët dhe kulturës së ngjashme – pastaj, të gjithë i duan kanadezët.

Por Mendezit i duhej sërish që të gjente një arsye për gjashtë kanadezët që vërdalloseshin mu në mes të trazirave të Teheranit. Kishte shumë gazetarë amerikano veriorë, punonjës humanitarë dhe këshilltarë të industrisë së naftës në vend. Por ata ishin ose të monitoruar gjatë të gjithë kohës, ose të njohur mirë prej autoriteteve. Departamenti i Shtetit mendoi që ata do të maskoheshin si mësues të papunë, deri kur dikush tha se shkollat anglishtfolëse në vend ishin mbyllur.

Kur qeveria kanadeze sugjeroi që të maskoheshin si bujq që inspektonin të korrat, Mendez-i e hodhi poshtë idenë si qesharake: “A keni qenë në Teheran në janar? Toka është e mbuluar nga dëbora. Dhe nuk ka bujqësi”.

Kishte ngecur. Për pothuajse një javë, askush në Uashington apo në Otava nuk mund të sajonte një arsye për cdokënd që të ndodhej në Teheran. Pastaj, Mendez-it i shkrepi në kokë një plan i pazakontë por cuditërisht i besueshëm: ai do të shndërrohej në Kevin Costa Harkinsin, një producent filmash irlandez i cili udhëhiqte grupin e tij të xhirimit në Iran për të gjetur një vend për xhirimin e një filmi të madh epik të Hollivudit.

Mendezi kishte kontakte në Hollivud nga bashkëpunimet e mëparshëm. (Në fund të fundit, ishin të gjithë në biznesin e krijimitë të identiteteve falsë). Dhe nuk do të ishte e habitshme, mendoi Mendezi, që një grup njerëzish të cuditshëm nga Tinseltaun të ishin të pavëmendshëm ndaj situatës politike në Iranin revolucionar. Qeveria iraniane po përpiqej të inkurajonte biznesin ndërkombëtar që të afrohej. Ata kishin nevojë për para të thata, dhe një produkcion filmi mund të përkthehej në miliona dollarë.

Mendez-i u dha eprorëve një plan veprimi, me një analizë të qëllimit, misionit dhe logjistikës. Detyra ishte kaq e vështirë saqë shefat e tij kishin thënë që do të miratonin vetëm një superplan të menduar mirë. Por ky propozim ishte mjaftueshëm i detajuar për t’u aprovuar prej tyre dhe prej Shtëpisë së Bardhë.

Për të ndërtuar sa më mirë skemën e maskimit, Mendezi mori një valixhe me 10 mijë dollarë dhe u nis për në Los Angeles. I telefonoi mikut të tij, John Chambersit, një artist veteran i makijazhit, i cili në vitin 1969 kish fituar një çmim “Academy Aëards” për filmin “Planeti i majmunëve” dhe njëkohësisht një prej bashkëpunëtorëve më të vjetër të Mendezit.

Chambers mori me vete një specialist të efekteve specialë, Bob Sidellin. Ata u takuan në mes të janarit dhe Mendezi i informoi për situatën dhe skemën e tij. Chambersi dhe Sidelli menduan për pengjet që shihnin çdo ditë në lajme në televizor dhe pranuan menjëherë.

Mendezi e dinte që duhej të planifikonin deri në hollësinë më të vogël. “Nëse dikush kontrollon”, tha ai, “duhet patjetër që të kemi hedhur themelin”. Nëse zbuloheshin, mund të fusnin në telash qeverinë, të kompromentonin agjencinë dhe të vinin në rrezik jetët e tyre si dhe ato të pengjeve në ambasadë. Militantët e kishin thënë që në fillim se çdo përpjekje për t’i shpëtuar do të shkaktonte ekzekutime.

Brenda vetëm katër ditëve, Mendezi, Chambersi dhe Sidelli krijuan një kompani produksioni false në Hollivud. Ata sajuan kartëvizita dhe shpikën identitete për të gjashtët. Zyrat e kompanisë së produksionit do të ishin në një suitë të Studiove “Sunset Goëer”, në një vend që ishte lënë bosh prej Michael Douglasit, pasi kishte përfunduar xhirimet e filmit “Sindroma e Kinës”.

Tani u nevojitej një film. Chambersi kishte skenarin e përsosur. Disa muaj më herët, atij i kishte telefonuar një aspirant për producent me emrin Barry Geller. Gelleri kish blerë të drejtat për romanin shkencor të Roger Zelaznyt, “Zoti i Dritës”, e kishte përshtatur, kishte mbledhur disa miliona dollarë si kapital fillestar nga investitorë të pasur, dhe kish punësuar Jack Kirbyn, artistin e famshëm të librave me figura për të realizuar vizatimet që përmbanin konceptin e filmit. Gjatë gjithë kohës, Gelleri kishte imagjinuar një park në Kolorado që do të quhej “Science Fiction Land”.

Do të kishte shumë robotë. Gelleri e kishte shpallur planin e tij të madh në nëntor gjatë një konference për shtyp ku kishte marrë pjesë edhe Jack Kirby, ish ylli i futbollit amerikan Rosey Grier, që parashikohej të luante në film, si dhe disa persona që ishin veshur si vizitorë nga e ardhmja. Pak kohë më vonë, zëvendësi i Gellerit ishte arrestuar për përvetësim të fondeve të produksionit, dhe kështu avulloi edhe projekti i filmit “Zoti i Dritës”.

Duke qenë se Chambersi ishte punësuar prej Gellerit për të kryer gjithë pjesën e makijazhit në film, ai kishte ende skenarin dhe vizatimet në shtëpinë e tij. Ngjarjet e filmit ndodhnin në një planet të kolonizuar.

Kishte vende në Iran që ofronin sfondin e përsosur për shumë nga skenat e parashikuara në skenar. Një Pazar i famshëm në Teheran ishte i përsosur për një prej skenave. “Eshtë perfekte”, tha Mendezi. Ai grisi kapakun dhe i vuri një emër të ri, Argo, si anija e përdorur nga Jasoni gjatë udhëtimit të tij të guximshëm nëpër botë për të rigjetur Cohën e Artë.

Kompania e re e produksionit e pajisi zyrën me linja telefonike, makina shkrimi, postera filmash dhe kuti, si dhe një shenjë tek dera: “Studio Six Productions”. Sidelli lexoi skenarin dhe hartoi një plan për një muaj xhirime. Mendezi dhe Chambersi krijuan një reklamë një faqe për filmin dhe paguan një faqe tek “Variety” dhe “The Hollywood Reporter”. Një natë para se Mendez-i të kthehej në Uashington, “Studio Six” organizoi një festë ku ngritën dolli për “produksionin” e tyre.

Menjëherë pas kësaj, reklamat e filmit Argo u shfaqën në revista, bashkë me shpalljen se xhirimet do të nisnin në mars. Titulli i filmit ishte shkruajtur me gërma të forta, në një sfond të zi. Në krah ishte një vrimë plumbi. Më poshtë, ishte shkruajtur “Një zjarr i madh kozmik”.

Mendezi u fut në Iran në 25 janar 1980, pasi mori një telegram nga drejtori i CIA-s që i përcillte miratimin personal të presidentit Carter, ku shkruhej “Mund të vazhdoni. Paci fat!” Ai fluturoi nga Europa, ku kishte siguruar një vizë në konsullatën iraniane në Bon. “Kam një takim biznesi me ortakët e kompanisë sime”, u shpjegoi ai autoriteteve iranianë në Gjermani. “Ata do të fluturojnë që nga Hong Kongu nesër dhe po më presin”. Mendezit i kishin shpërthyer djersë të ftohta në aeroport (edhe profesionistët kanë momentet e tyre të dobësisë), por e dinte që në këtë pikë, nuk kishte kthim pas. Besonte shumë në forcën e historisë që kishte sajuar.

Si specialist në falsifikime, Mendezi mbërriti bashkë me pajisjet e tij të bojërave të ujit. Por pjesa tjetër e mjeteve që do të nevojiteshin ishin dërguar më parë nëpërmjet rrugëve diplomatike dhe e prisnin në ambasadën kanadeze.

Mendezi përfshiu gjithçka që mund të nevojitej: karta të kujdesit shëndetësor dhe patenta shoferësh, fatura nga restorante në Toronto dhe Montreal, kartëvizitat e “Studio Six”, një aparat për kinematografin, si dhe materialet e produksionit të Argos. Gjashtë pasaportat ishin ajo çfarë Mendezi e quante “falso të vërteta”: dokumenta që qeveria kanadeze kishte përgatitur, të porositura nga CIA.

Marrja e atyre pasaportave kish qenë një goditje e befasishme në fakt. Ligjet kanadezë e ndalojnë një falsifikim të tillë, por parlamenti i këtij vendi ishte mbledhur në një seancë të fshehtë, e para që nga Lufta e Dytë Botërore, për të bërë një përjashtim.

Mendezi u takua me ambasadorin Ken Taylor në zyrën e tij, mori pasaportat kanadeze dhe u vendosi atyre viza iraniane. Pjata e bojës i ishte tharë prej udhëtimit, por ai e lagu me pak uiski nga i ambasadorit dhe vendosi me kujdes datat që tregonin se gjashtë pjesëtarët e produksionit kishin mbërritur në Iran një ditë më parë.

Atë natë, Staffordët, Lijeksët, Schatzët dhe Andersët darkuan me ambasadorët e Danimarkës dhe Zelandës së Re, bashkë me një pjesë të stafit, në rezidencën e Sheardoënit. Amerikanët kishin ndezur zjarrin dhe po pinin, kur Taylori mbërriti bashkë me një mysafir surprizë.

“Ne jemi përgatitur për arratinë juaj”, u tha Mendezi gjatë darkës. Më tej, ai u shpjegoi historinë e maskimit dhe u paraqiti vizatimet e Kirbyt, skenarin, reklamën në revistën “Variety” si dhe numrin e telefonit të “Studio Six” në Sunset Boulevard. Mendezi u dorëzoi kartëvizitat dhe pasaportat. Cora Lijek do të shndërrohej në Teresa Harris, shkrimtarja. Marku ishte koordinatori i transportit. Kathy Staffordi ishte stilistja. Joe Staffordi ishte një ndihmës producent. Andersi ishte drejtori. Schatzi, kameramani, mori kamerën si dhe hollësitë se si të përdorte një kamera tip Panaflex. Mark Lijeku vërejti se Mendezi mbante veshur një xhakjetë sportive “British Harris”, duke i qëndruar pra besnik identitetit të tij si një producent irlandez filmash.

“Po kontrollet në aeroport”, pyeti Joe Stafford.

Ishte një pyetje me vend. Mendezi e dinte që nuk kishte operacione pa pika të dobëta dhe ky mund të ngecte diku. Autoritetet iranianë të imigrimit përdornin një kompje të dyfishtë të formularit të mbërritjes/largimit. Ishin dy fletë, njëra e verdhë, tjetra e bardhë. Sapo hyje në Iran, zyra e imigrimit mbante kopjen e bardhë, e cila duhej të krahasohej me kopjen e verdhë kur dikush largohej.

Një kontakt i CIA-s në aeroportin Mehrabad kishte siguruar formularët, dhe Mendezi nuk e kish patur aspak problem të falsifikonte kopjet e verdha. Informacionet më të fundit tregonin se agjentët e zyrës së imigrimit as nuk e merrnin mundimin që të krahasonin dy formularët.

Amerikanët në fillim ishin nervozë për planin. “Më lejoni t’ju tregoj se si funksionon ky lloj operacioni”, tha Mendezi, duke marrë dy tapa nga shishet e shumta të verës që po konsumoheshin. I vendosi midis dy gishtave të mëdhenj në dy forma D-je që bashkoheshin. “Këta janë të këqinjtë”, tha ai, duke treguar që nuk mund të ndaheshin, “dhe këta jemi ne”. Me një lëvizje të shpejtë të dorës, i ndau.

Çuditërisht, kjo i qetësoi. Të gjashtët ndjenë se kishin një udhëheqës kompetent. “Kaq e lehtë do të jetë”, tha Mendezi, duke nuhatur rritjen e besimit tek të pranishmit. “Do t’ua hedhim”.

Në Amerikë, edhe “Studio Six” ishte e zënë me punë. Bob Sidelli dhe bashkëshortja e tij, Andi, po plotësonin me staf zyrat e produksionit. Kishin tre linja telefonike. Njëri ishte një numër jo i bërë publik që e dinte vetëm CIA. Nëse ajo zile do të binte, kjo do të thosh se Mendezi dhe pjesa tjetër e stafit të ARGO ose ishin në telash të madh, ose kishin mbërritur në shtëpi, të lirë. Andi u përgjigjej dy telefonave të tjerë, të cilët binin vazhdimisht.

Kur u shfaqën reklamat, gazetarët e “Hollywood Reporter” dhe “Variety” nisën të telefononin, duke shkruajtur artikuj të vegjël në secilën gazetë. “Dy artistë të njohur të makijazhit në Hollivud, thoshte një prej lajmeve, janë bërë producentë”. “Filmi i tyre i parë quhet Argo, një film fantastiko shkencor, me skenar të Teresa Harris. Filmimet do të fillojnë në jug të Francës dhe më pas do të zhvendosen në Lindjen e Mesme… në varësi të klimës politike”. Mbulimi mediatik shkaktoi menjëherë shumë interes për këtë film të Hollivudit që do të kryente xhirimet në Lindjen e Mesme.

Sidelli që kishte punuar për 25 vite në Hollivud kish thënë gjithmonë se i gjithë qyteti vihej në lëvizje prej “broçkullave”, por edhe ai vetë ishte i befasuar se sa me lehtësi universi i sajuar i “Studio Six” dominonte tani mbi realitetin. Nuk kaloi shumë kohë dhe kjo zyrë e CIA-s e gjeti veten të zhytur thellë në biznesin e kinematografisë.

Ata ishin gjithnjë në ankth se mos dëgjonin të binte zilja e telefonit të tretë, por çdo telefonatë deri tani kish lidhje vetëm me filmin. Miqtë panë emrin e Sidellit në reklama dhe nisën ta pyesin për punën. “A e ke gati një ekip?” donin të dinin. “Kur fillon paraproduksioni?” Brenda pak javësh, “Studio Six” u mbush me skenarë dhe kërkesa producentësh. “Nuk do të xhirojmë edhe për disa muaj”, u thosh ai. “Flasim prapë pas disa javësh”.

Shumë njerëz u paraqitën tek “Studio Six” me projekte në dukje të mirë, kështu që Sidelli organizoi disa takime me ta. Një shkrimtar donte të përshtaste një tregim horor të Artur Conan Doyle, që bënte fjalë për një mumje të ringjallur. Sidelli u interesua madje për informacione nga prona e Doyle – gjithë kohës duke e ditur gjithësesi që, një ditë, “Studio Six” do të zhdukej nga qarkullimi.

Të gjithë ishin të veshur me kostume në mëngjesin e 28 janarit 1980. Cora Lijeku i rregulloii flokët dhe mori një pamje si Shirley Temple. Iu fut edhe një herë skenarit, teksa rrinin në pritje. Kathy Staffordi vuri syze të mëdha, tip boheme, i kapi flokët dhe mori të mbante në duar një dosje me vizatimet e Kirbyt.

Mjekkrën e verdhë të Mark Lijekut e kishin lyer me bojë të zezë. Andersi e mendoi arratinë e tyre si një aventurë dhe u zhyt i tëri në rolin e regjisorit pompoz: Doli me një këmishë dy numra më të vogël, të kopsitur deri në gjysmën e gjoksit leshator për të nxjerrë në pah një medaljon të argjentë, gjysmë të improvizuar. Vuri syze dielli, i krehu flokët prapa veshëve dhe veprimet nisi ti bëjë pak si femërorë.

Gjatë dy ditëve të fundit, ata kishin bërë shumë prova, me një prej pjesëtarëve të ambasadës që njihte gjuhën farsi që vishej me uniformë dhe bënte gjoja sikur i merrte në pyetje, në kërkim të të çarave në historinë e tyre të maskimit.

Kishin mësuar historinë e filmit dhe atë të personazheve dhe tani ishin në pritje për t’u nisur. Deri në orën 4 të mëngjesit kishin bërë gati gjithçka, falënderuan të zotët e “shtëpisë” dhe u nisën drejt aeroportit Mehrabad.

Në makinë, Cora kontrolloi edhe një herë xhepat për t’u siguruar që nuk kishte asgjë që do të zbulonte emrin e saj të vërtetë. Ajo dhe të tjerët nisën të futen në rolin e ri, edhe gjatë komunikimit me njëri-tjetrin. I vetmi përjashtim ishte Joe Staffordi, i cili e kish me mëdyshje që të linte kolegët pas në ambasadë. Nuk ishte aspak entuziast për planin dhe kishte refuzuar të ndryshonte pamjen. Dhe më e keqja, ai dukej që ishte nervoz.

Mendezi ishte nisur para. Zyra e tij kishte testuar Mehrabadin, kish dërguar agjentë të hynin dhe dilnin nga vendi, duke kontrolluar sigurinë atje. Por ai preferonte t’i shihte gjërat me sytë e tij. Ashtu si një grabitës bankash që “mat me sy” prenë e radhës, Mendezi do ta kuptonte menjëherë nëse gjërat ishin në rregull.

Ai do të vlerësonte zyrat e doganës dhe të imigrimit, për shembull, sa i kujdesshëm ishte stafi? Më shqetësues se sa profesionistët ishin ata të komitehut dhe Gardës Revolucionare që qëndronin pas tyre. Të armatosur dhe të paparashikueshëm, ata e bënin aeroportin me të vërtetë të rrezikshëm.

Por ai mëngjes dukej i qetë. Kishte pjesëtarë të komitehut tek dogana, por vëmendja e tyre ishte e përqëndruar tek vendasit që përpiqeshin të nxirrnin sixhade dhe flori në mënyrë kontrabandë jashtë vendit. Mendezi kishte zgjedhur mëngjesin herët për arsye se deri në orën 10, Mehrabadi do të shndërrohej në një nyjë tipike të rrëmujshme tranziti, me radhë të çrregullta njerëzish, rrëmujë, që thërrisnin dhe shtyheshin. Në këtë moment do të shfaqej Garda Revolucionare për të vënë rregull.

Kur Mendezi vuri re se kishte pak prani ushtarake, ai sinjalizoi të tjerët që të viheshin në lëvizje. Gjithë ankth, amerikanët hynë në aeroport. Kishte 80 ditë që nuk kishin dalë në vende publikë. Shumica e të arratisurve kishin punuar në konsullatë, dhe të gjithë e dinin se çfarë do të thoshte të kontrolloje me kujdes dokumenta, në kërkim të të metave. Tre prej tyre kishin punuar në zyrën e vizave. Që do të thotë se i kishin parë me mijëra iranianë, shumë prej të cilëve kishin ndierë zemërim kur u ishte refuzuar viza.

Të gjithë morën frymë lirisht kur kontrolli tek sportelet e Swissair kaloi pa probleme. Grupi fliste shumë pak teksa Schatzi iu afrua zyrës së imigrimit, paraqiti pasaportën dhe mori vulën. Amerikanët u ndienë të tmerruar kur oficeri u largua bashkë me pasaportat e pjesës tjetër të grupit. Por ai, pa e patur hiç mendjen, u kthye prapë në vendin e tij me një gotë çaj në dorë dhe i bëri me shenjë grupit të shkonin tek salla e nisjes, pa e vrarë shumë mendjen për formularët e verdhë e të bardhë.

Pritja ishte sfilitëse. Të gjithë e mbanin kokën poshtë. Joe Staffordi mori një gazetë vendase, por në një moment u kujtua se një kanadez që merrej me filma nuk mund ta dinte gjuhën. Gjithashtu, ai vazhdoi të thërrasë të tjerët me emrat e tyre realë, duke u shkaktuar të dridhura. Po bëhej vonë. Aeroporti po mbushej me njerëz.

Ata e dinin që nuk kishin një plan rezervë. Mendezi nuk mbante as armë, dhe Garda Revolucionare ishte duke ardhur, duke u vërdallosur nëpër aeroport dhe duke ngacmuar njerëzit. Shikojini në sy, i kish porositur Mendezi të gjashtët, në rast se merrnin ndokënd në pyetje. Shfaquni me vetëbesim, por të pafajshëm.

Por ai e dinte nga informacionet e agjencisë se pjesëtarët e gardës mund të ishin të ashpër. Një problem mekanik shkaktoi një vonesë, dhe pjesëtarët e Gardës Revolucionare nisën të kthejnë vëmendjen nga pasagjerët e huaj.

Mendezi u zhduk. Ai kishte një kontakt në aeroport dhe shkoi të pyesë për situatën e fluturimit të tyre. As nuk kish marrë ende përgjigjen se vonesa do të ishte e shkurtër, kur të gjithë dëgjuan lajmërimin: “Sëissair, fluturimi 363, gati për nisje të menjëhershme”. Teksa hipën në avion, Andersi vërejti fjalën AARGAU në pjesën e pasme të avionit – emri i rajonit zviceran ku e kish origjinën avioni ishte çuditërisht i ngjashëm me historinë e tyre. E goditi lehtë Mendezin në krah dhe i tha: “Ju përgatisni gjithçka, apo jo?”

Mendezi buzëqeshi. Pasi avioni nisi të ngrihet në ajër, Mendezi e dinte se sapo kishte realizuar operacionin më të suksesshëm të të gjithë karrierës së tij. Bari u hap sapo lanë pas hapësirën ajrore iraniane, dhe të gjithë porositën “Bloody Mary”. Mendezi ktheu kokën nga grupi dhe ngriti një dolli: “Jemi të gjithë në shtëpi, të lirë”.

Pak orë më vonë, tek “Studio Six” ra për herë të parë zilja e telefonit të tretë. I tmerruar, Andi ngriti receptorin. “Mbaroi”, tha një zë i paidentifikuar. “Ia dolën”.