Dreka modeste e një kryeministri për mysafirin e tij

Dreka modeste e një kryeministri për mysafirin e tij

Justin Trudeau është kryeministri i njërit prej shteteve më të mëdha në Amerikë, Kanada. Ai njihet për modestinë e tij dhe afërsinë që ka me popullin.

Ai shihet shpesh nëpër qytet, del në stacion treni dhe fotografohet me qytetarë. Por modestia e tij nuk ndalet me kaq. Trudeau është shumë modest edhe në shpenzimin e parasë së taksapaguesve të shtetit të tij.

Kjo është treguar në një takim dreke që ai e ka pasur me kryeministrin e Belgjikës, Charles Michel.

Në fotografitë të cilat i ka publikuar kryeministri kanadez, por edhe ai belg, shihet një takim shumë modest, ashtu sikurse që ishte edhe dreka.

“Të premten në samitin e ‘Poutine’ për herë të parë e mirëprita Kryeministrin e Belgjikës Charles Michel. Faleminderit Charles, për partneritetin tuaj, vendet tona punojnë së bashku për të ndihmuar bizneset dhe klasën tonë të mesme”, ka shkruar kryeministri kanadez Justin Trudeau në llogarinë e tij në Facebook.

Edhe më modeste dhe madhështore bëhet ky takim kur kryeministri i Belgjikës e falënderon homologun e tij kanadez për drekën aq modeste, duke ia lavdëruar specialitetin me patate të skuqura.

“Duke shijuar një specialitet kanadez me kryeministrin kanadez Justin Trudeau – poutine dhe hot dog. Mirëpo kam një dobësi të vogël për patatet tona të skuqura. Poutine janë një specialitet i vërtetë kanadez. Faleminderit Justin Trudeau për këtë mikpritje kaq të sinqertë në Otava. Unë jam një fans i patateve tona, por pritja është shumë e përzemërt”, ka shkruan kryeministri belg Charles Michel në llogarinë e tij në Facebook.

Por kjo nuk ndodh në Kosovë. Gazeta Insajderi dje ka shkruar se si Ministria e Punëve të Jashtme ka shtruar darkë mbi 2600 euro për delegacionin e Presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani, gjatë vizitës disaditore që ia kishte bërë Kosovës në maj të këtij viti.

MPJ-ja ishte arsyetuar se në këtë darkë kanë marrë pjesë mbi 40 persona dhe ishe organizuar në një restorant ekskluziv.